Në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, Hamza tha se themelimi i grupit punues për hartimin e strategjisë shtetërore është një hap i mirë, por theksoi se tani duhet kaluar nga vendimet te veprimet konkrete.
Ai bëri me dije se është takuar me kryeministrin Albin Kurti para dy ditësh dhe se, si rezultat i diskutimeve, është miratuar themelimi i grupit punues për strategjinë shtetërore në fazën e apelit.
Hamza theksoi se mbrojtja juridike në gjykatë dhe mbrojtja e së vërtetës historike në arenën ndërkombëtare janë dy detyra të ndryshme, të cilat duhet të zhvillohen në koordinim.
Sipas tij, ekipet mbrojtëse duhet ta kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe profesionale, ndërsa shteti duhet të sigurojë mbështetjen e nevojshme institucionale, të mbrojë të drejtat e qytetarëve të tij dhe të shpjegojë historinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Kryetari i PDK-së kërkoi që grupi punues të hartojë sa më shpejt një strategji konkrete dhe një plan veprimi që mund të matet përmes rezultateve.
Ai po ashtu kërkoi që në ditët e ardhshme të rriten fondet për mbrojtjen juridike të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Duke folur për ligjin që lidhet me Dhomat e Specializuara, Hamza tha se Kuvendi e ka përmbushur përgjegjësinë e tij përmes miratimit të rezolutës me 99 vota dhe ligjit me 88 vota.
Ai vlerësoi se nismat ligjore të Kuvendit synojnë garantimin e drejtësisë dhe pavarësisë nga ndikimet e jashtme, ndërsa shtoi se shqetësimet duhet të përqendrohen te pretendimet për padrejtësi dhe shkelje të të drejtave të njeriut në procesin gjyqësor në Hagë.
Hamza gjithashtu kërkoi nga presidentja Justina Shiroka-Pula që të angazhohet për respektimin e të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së dhe për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës çlirimtare, përfshirë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë.
Ai theksoi se mbrojtja e luftës së UÇK-së është përgjegjësi e përbashkët, pavarësisht dallimeve partiake dhe pozitave institucionale.
Burimi: RTKLive
