Rama u përgjigjet protestuesve: Nuk do të jap dorëheqjen, Qeveritë ndryshohen me zgjedhje, jo me dhunë

Rama u përgjigjet protestuesve: Nuk do të jap dorëheqjen, Qeveritë ndryshohen me zgjedhje, jo me dhunë

Written by

in

Rama u përgjigjet protestuesve: Nuk do të jap dorëheqjen, Qeveritë ndryshohen me zgjedhje, jo me dhunë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes pas protestave të shoqëruara me përplasje dhe dëmtime në Tiranë, duke theksuar se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike dhe jo përmes dhunës.

Në një përgjigje për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, Rama është shprehur i gatshëm për dialog me studentët dhe për adresimin e kërkesave të tyre legjitime, ndërsa ka bërë dallimin mes protestave paqësore dhe akteve të dhunës.

“Ne respektojmë studentët e Shqipërisë dhe të drejtën e tyre themelore për të protestuar, për të sfiduar qeverinë e tyre dhe për të kërkuar arsim më të mirë, më shumë mundësi dhe llogaridhënie. Zëri i tyre është dëgjuar edhe në të kaluarën dhe do të dëgjohet gjithmonë. Jemi të gatshëm të angazhohemi dhe këtë e kemi thënë shumë qartë.

Korrupsioni duhet të luftohet dhe, siç e rikonfirmoi së fundmi edhe vetë Bashkimi Europian, Shqipëria po e lufton atë si kurrë më parë. Për herë të parë në historinë e saj, dhe falë Reformës së thellë në Drejtësi që unë drejtova dhe çova përpara, Shqipëria po sheh njerëz të fuqishëm të japin llogari përpara një gjyqësori të pavarur.

Por ekziston një dallim i qartë mes protestës paqësore dhe dhunës, mes studentëve dhe banditëve. Dhe ne kemi dy fakte shumë të qarta përpara nesh. Së pari, shumica dërrmuese e studentëve nuk është në rrugë. Së dyti, dhuna nuk është e organizuar nga studentët. Sulmet ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe rrezikimi i sigurisë publike nuk kanë asnjë lidhje me kërkesat legjitime të studentëve.

Ndoshta dikush, apo disa forca brenda dhe jashtë vendit, nuk duan që Shqipëria të shkëlqejë si një nga vendet pararojë drejt Bashkimit Europian, por unë nuk do të lejoj që dhuna të devijojë të ardhmen europiane të Shqipërisë. Po ashtu, nuk do të lejoj që zërat legjitimë të studentëve tanë të mbyten nga ata që zgjedhin shkatërrimin.

Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike, dhe ne i zhvilluam ato vitin e kaluar, jo përmes dhunës. Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të trajtoj shqetësimet legjitime dhe ta çoj Shqipërinë përpara. E kundërta do të ishte një tradhti ndaj të gjithë shqiptarëve që më dhanë një mandat shumë të fortë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit në BE”, ka thënë Rama.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Rama u përgjigjet protestuesve: Nuk do të jap dorëheqjen, Qeveritë ndryshohen me zgjedhje, jo me dhunë appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali