Dënohet me 22 vjet burgim burri që vrau fqinjin në Klinë

Dënohet me 22 vjet burgim burri që vrau fqinjin në Klinë

Written by

in

Dënohet me 22 vjet burgim burri që vrau fqinjin në Klinë

Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar dënim unik prej 22 vjetësh burgim ndaj të pandehurit A.N., i shpallur fajtor për tri vepra penale, përfshirë vrasjen dhe vrasjen e rëndë në tentativë.

Aktgjykimi është shpallur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, me trupin gjykues të kryesuar nga Musë Povataj, me anëtarët Veton Ademaj dhe Shaqë Curri, transmeton Klankosova.tv.

Sipas aktgjykimit, për veprën penale të vrasjes, të pandehurit i janë shqiptuar 19 vjet burgim. Për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë, ai është dënuar me pesë vjet burgim, ndërsa për mbajtjen, kontrollin ose posedimin e paautorizuar të armëve, me një vit burgim.

Pas shqiptimit të dënimeve individuale, gjykata ka caktuar dënimin unik prej 22 vjetësh burgim.

Po ashtu, gjykata ka urdhëruar konfiskimin e armëve dhe municionit të sekuestruar, ndërsa ka vendosur vazhdimin e paraburgimit ndaj të pandehurit deri në marrjen e formës së prerë të aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi unik i shqiptuar.

M.A. dyshohet se u vra nga fqinji i tij, tashmë i dënuari, A,N., në prill të vitit 2022. Vrasjes dyshohet se i parapriu një zënkë mes disa familjarëve të viktimës dhe të dyshuarit që eskaloi në rrahje, e më vonë rezultoi të jetë edhe fatale.

Mësohet se familjari i të dyshuarit në kohën kur ndodhi vrasja ishte duke u intervistuar nga policia në cilësinë e viktimës për rrahje.