Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, e ka liruar nga akuza Rinor Grajqevcin, i cili akuzohej për vrasje në tentativë dhe mbajtje të paautorizuar të armës, lidhur me një incident me armë zjarri të ndodhur në dhjetor të vitit 2014, në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.
Sipas aktgjykimit të shpallur më 2 shtator 2026, Gjykata ka konstatuar se Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme që do të dëshmonin se Grajqevci kishte shtënë me armë zjarri apo kishte tentuar ta privonte dikë nga jeta.
Çfarë kishte ndodhur në rrugën “Rexhep Luci”?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 10 dhjetor 2014, rreth orës 21:00, pranë supermarketit “Maxi”, kishte ndodhur një incident me armë zjarri.
Prokuroria pretendonte se Grajqevci, pas një konflikti të mëhershëm fizik me djalin e njërit prej të dëmtuarve, kishte përcjellë personat që po largoheshin nga një lokal dhe kishte shtënë një herë me revole në drejtim të njërit prej tyre, nga një distancë prej rreth pesë deri në gjashtë metrash.
Sipas aktakuzës, pas të shtënës, personi i armatosur ishte larguar duke u ngjitur shkallëve të një ndërtese.
Për këtë rast, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë më 20 shkurt 2015, duke e ngarkuar Grajqevcin me dy vepra penale.
Dëshmitarët dëgjuan krismën, por nuk e panë momentin e të shtënës
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, njëri nga të dëmtuarit kishte deklaruar se atë natë kishte qenë duke u kthyer nga një lokal, kur kishte dëgjuar një krismë.
Ai kishte thënë se për shkak të errësirës nuk kishte arritur ta shihte personin që kishte shtënë me armë dhe nuk mund të përcaktonte as drejtimin e të shtënës.
Dëshmitari tjetër kishte deklaruar se pas krismës kishte parë një person duke u larguar nëpër shkallët e një ndërtese, të cilin pretendonte se e kishte identifikuar si Rinor Grajqevcin.
Megjithatë, as ky dëshmitar nuk kishte deklaruar se e kishte parë të akuzuarin në momentin kur ishte shtënë me armë.
U gjet gëzhoja, por jo arma
Gjatë shqyrtimit të provave materiale, Gjykata ka konstatuar se në vendin e ngjarjes ishte gjetur një gëzhojë e kalibrit 7.62×25 milimetra.
Sipas ekspertizës balistike, gëzhoja mund të ishte shkrepur nga disa lloje pistoletash, përfshirë “Crvena Zastava M57”, “TT-33” dhe “Type 54”.
Megjithatë, arma e përdorur nuk ishte gjetur dhe ekspertiza nuk kishte arritur ta lidhte gëzhojën me të akuzuarin.
Gjykata ka theksuar se nuk ishte provuar as identiteti i personit që kishte shtënë, e as qëllimi për ta privuar nga jeta të dëmtuarin.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Gazmend Bahtiri, me anëtarët Gëzim Ademi dhe Ertan Sejfulla, ka vlerësuar se provat e administruara nuk ishin të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e Grajqevcit.
Për rrjedhojë, Gjykata e ka liruar nga të dyja akuzat, duke zbatuar parimin se çdo dyshim duhet të interpretohet në favor të të akuzuarit.
Shpenzimet e procedurës penale do të mbulohen nga buxheti i Gjykatës, ndërsa të dëmtuarit kanë hequr dorë nga kërkesa për kompensim pasuror.
Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe ndaj tij lejohet ankesë brenda 30 ditësh nga pranimi.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post LEX | U akuzua për tentim vrasjeje pas të shtënave me armë në qendër të Prishtinës – Pas gati 12 vjetësh, Gjykata liron Rinor Grajqevcin appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali