
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka reaguar për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave në kryeqytetin shqiptar, duke dënuar sulmet ndaj institucioneve, bankave, qendrave tregtare dhe objekteve të biznesit.
Në reagimin e saj, Dhoma thekson se protesta paqësore është një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike, por nënvizon se asnjë pakënaqësi apo përplasje politike nuk mund të justifikojë dhunën, zjarrvënien dhe vandalizmin.
“Bizneset, punonjësit dhe pronat e tyre nuk mund të bëhen shënjestër e tensioneve politike”, thuhet në reagim, ku theksohet se pas çdo sipërmarrjeje qëndrojnë investime, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej saj.
Sipas reagimit, dëmtimi i bizneseve prek jo vetëm pronarët, por edhe punonjësit, klientët dhe ekonominë e qytetit, ndërsa sipas kësaj Dhome, shkatërrimi i pronës publike rëndon mbi të gjithë taksapaguesit.
“Në përfundim, Dhoma i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të marrin masa konkrete për parandalimin e akteve të dhunës, forcimin e sigurisë në zonat e rrezikuara dhe ndërhyrjen në kohë për mbrojtjen e jetës dhe pronës publike e private.”, thuhet tutje.