
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka ironizuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi Beogradi i dërgoi Zagrebit një notë proteste për atë që e cilësoi si “ndërhyrje në zgjedhje”.
Duke folur para samitit të Bashkimit Evropian, Plenkoviq ka vënë në pikëpyetje adresimin e notës së protestës, duke e cilësuar atë si një manovër për konsum të brendshëm politik, në prag të zgjedhjeve në Serbi, të planifikuara për 25 tetor.
“Jam i habitur nga një notë e tillë, sepse nuk është e qartë se kujt i drejtohet. Mendoj se bëhet fjalë për një manovër që synon të mbështesë tezën se Kroacia – si një armik gjysmë i jashtëm e gjysmë i brendshëm – po ndërhyn në politikën e brendshme dhe në procesin zgjedhor të Serbisë, gjë që nuk ka asnjë kuptim”, deklaroi Plenkoviq.
Kryeministri kroat ka hedhur poshtë pretendimet për ndërhyrje në procesin zgjedhor të Serbisë, duke theksuar se mediat në Kroaci janë të lira dhe se secili ka të drejtë ta shprehë mendimin e tij. Ai i ka bërë thirrje Beogradit që të përqendrohet në fushatën e vet zgjedhore.
“Serbia ka fushatën e saj zgjedhore; le të merren me qytetarët e tyre. Kroacia nuk ndërhyn në këtë çështje. Kjo nuk është tema jonë”, tha kryeministri kroat.
Në fund, Plenkoviq ka vlerësuar se Serbia ka çështje të tjera ku duhet të shënojë përparim, veçanërisht sa i përket respektimit të vlerave evropiane, në vend që t’i dërgojë Kroacisë, siç i quajti ai, “nota qesharake”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Kryeministri kroat ironizon Vuçiqin pasi Serbia i dërgoi notë proteste Kroacisë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali