Qelaj kritikon Specialen për mungesë transparence e llogaridhënieje

Qelaj kritikon Specialen për mungesë transparence e llogaridhënieje

Written by

in

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka kritikuar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për mungesë transparence, llogaridhënieje dhe monitorimi, duke thënë se këto shqetësime kanë ndikuar në rënien e besueshmërisë së qytetarëve ndaj kësaj gjykate.

Duke folur në FIVE të TV Dukagjinit, Qelaj ka komentuar raportin e publikuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të shqyrtuara nga perspektiva e të drejtave të njeriut.

Ai ka thënë se ndër shqetësimet kryesore të evidentuara në raport janë pragu minimal i provave të siguruara nga Serbia, zgjatja e paraburgimit, pamundësia e lirimit me kusht dhe çështjet që lidhen me juridiksionin e kësaj gjykate.

“Faktet kryesore që i kemi potencuar në raport ndërlidhen me mungesën e transparencës, mungesën e llogaridhënies dhe monitorimit të kësaj gjykate. Pastaj, pragun minimal të provave që janë siguruar nga Serbia, çështjen e zvarritjes së paraburgimit dhe pamundësinë për t’u liruar me kusht. Ka edhe shumë aspekte të tjera që lidhen me juridiksionin e kësaj gjykate”, ka thënë Qelaj.

Sipas tij, shqetësim përbën edhe mënyra se si kjo gjykatë e ushtron juridiksionin e saj, për të cilin ai ka thënë se ngre pikëpyetje në raport me standardet e drejtësisë penale.

Qelaj ka vënë në pah edhe mungesën e përgjigjeve ndaj pyetjeve të parashtruara vazhdimisht nga institucioni që ai drejton.

“Shqetësuese në krejt situatën e bën fakti se kjo mungesë e transparencës dhe mungesa e theksuar e argumentimit, e dhënies së përgjigjeve në pyetjet që ne ia kemi parashtruar vazhdimisht gjykatës, si dhe tendenca për ta mbyllur këtë gjykatë, duke i transmetuar publikut vetëm aq sa dëshiron gjykata, kanë bërë që të bjerë shumë besueshmëria e qytetarëve në këtë gjykatë”, ka deklaruar ai.

Burimi: Dukagjini