
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim profesorin amerikan Edward Joseph, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon.
Sipas njoftimit të Presidencës, Joseph, ligjërues dhe bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Politikës së Jashtme të Universitetit Johns Hopkins, në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS), e ka përgëzuar presidenten për marrjen e detyrës dhe i ka uruar sukses në ushtrimin e mandatit.
Gjatë takimit, Shiroka Pula ka shprehur mirënjohjen për urimet e profesorit amerikan, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
“Presidentja Shiroka Pula shprehu mirënjohjen për urimet dhe vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe të dialogut me miqtë dhe partnerët për çështjet me interes të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Presidencës transmeton Klankosova.tv.