Izraeli bllokon bazën ushtarake në Gaza, ku pritet të përfshihet Kosova

Izraeli bllokon bazën ushtarake në Gaza, ku pritet të përfshihet Kosova

Written by

in

Rreth 500 pjesëtarë nga Kosova dhe Maroku parashihet të përfshihen në misionin ndërkombëtar, por Izraeli nuk po lejon nisjen e ndërtimit të bazës që do ta mbështeste operacionin, shkruan gazeta britanike The Guardian.

Kosova është pjesë e kontingjentit ndërkombëtar të paraparë për stabilizimin e Gazës, por zbatimi i misionit po përballet me pengesa, pasi Izraeli po bllokon ndërtimin e një baze të përkohshme ushtarake, të planifikuar në kuadër të nismës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Sipas The Guardian, projekti synon të krijojë një pikë mbështetëse për vendosjen e trupave ndërkombëtare, të cilat do të ndihmonin në krijimin e kushteve të sigurisë për rindërtimin e territorit palestinez.

Baza është planifikuar të strehojë 150 pjesëtarë të forcës ndërkombëtare të stabilizimit, ndërsa një pjesë e kontingjentit më të gjerë prej rreth 500 pjesëtarësh nga Kosova dhe Maroku do të përfshihej në këtë mision.

Kontrata për ndërtimin e bazës iu dha në gusht kompanisë amerikane Arkel International. Megjithatë, sipas burimeve të cituara nga The Guardian, Izraeli nuk ka lejuar hyrjen e kontraktorit dhe të kamionëve me pajisje në Gaza, duke pamundësuar nisjen e punimeve.

Më 30 mars 2026, Qeveria e Kosovës miratoi dërgimin e trupave në Gaza, në kuadër të nismës së mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se Kosova është e gatshme të kontribuojë për popullin e Gazës, duke përmendur edhe përvojën e vendit nga prania e forcave ndërkombëtare që nga viti 1999.

Numri i saktë i trupave që Kosova do të dërgojë nuk ishte bërë publik në njoftimin e atëhershëm të Qeverisë.

Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit është pjesë e planit të administratës amerikane për periudhën pas armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit. Ajo synon të mbështesë sigurinë dhe administrimin kalimtar të Gazës, si dhe të krijojë kushtet për rindërtimin e territorit.

Bllokimi rrezikon zbatimin e planit

Sipas The Guardian, pa funksionalizimin e bazës dhe vendosjen e forcës ndërkombëtare, ekipet e ndërtimit nuk mund të nisin punën për infrastrukturën bazë dhe objektet e nevojshme për popullsinë e Gazës.

Bordi i Paqes, i kryesuar nga Trumpi, më 23 shtator prezantoi një plan gjashtëmujor me vlerë 2.45 miliardë dollarë, si fazë e parë e një programi rindërtimi që parashihet të kushtojë rreth 71 miliardë dollarë gjatë dhjetë vjetëve.

Sipas burimit të cituar nga gazeta, Bordi i Paqes shpreson që projekti të mund të vazhdojë pas zgjedhjeve parlamentare në Izrael, të planifikuara për 27 tetor.

Deri atëherë, pjesëmarrja e Kosovës në misionin ndërkombëtar mbetet pjesë e një plani që ende po përballet me pengesa në terren.

Burimi: RTKLive