Trumpi rrëzon planin e Hegsethit për transmetimin drejtpërdrejt të ekzekutimit ushtarak

Trumpi rrëzon planin e Hegsethit për transmetimin drejtpërdrejt të ekzekutimit ushtarak

Written by

in

Trumpi rrëzon planin e Hegsethit për transmetimin drejtpërdrejt të ekzekutimit ushtarak

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka anuluar planet për transmetimin drejtpërdrejt të ekzekutimit të ish-majorit të ushtrisë amerikane, Nidal Hasan, i cili vrau 13 persona në bazën ushtarake Fort Hood.

 Vendimi u mor të enjten, duke e rrëzuar propozimin e shefit të Pentagonit, Pete Hegseth, pas kundërshtimeve nga republikanët, udhëheqësit fetarë dhe publiku.

Ky vendim i dha fund planit për transmetimin drejtpërdrejt të ekzekutimit të Hasan më 3 dhjetor. Ai shënoi gjithashtu një rast të rrallë të mospajtimit publik mes Trumpit dhe një prej aleatëve të tij më të afërt, ndonëse Pentagoni deklaroi se të dy ishin “plotësisht në një linjë”.

Hegseth kishte njoftuar planet për transmetimin e ekzekutimit me pushkatim në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas, ku ndodhi edhe sulmi i Hasanit në vitin 2009.

 Nuk dihet që ndonjë vend tjetër të transmetojë drejtpërdrejt ekzekutime të urdhëruara nga gjykatat, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Trumpi dhe këshilltarët e tij nuk kishin qenë në dijeni të planit për transmetimin e ekzekutimit.

“Besoj se transmetimi i ekzekutimit për ta parë të gjithë mund të kishte shërbyer si një parandalues i fuqishëm, duke i treguar botës se si i trajton Amerika terroristët dhe fundërrinat si Hasani. Megjithatë, shumë njerëz të mirë dhe me qëllime të mira do të preferonin të mos e shihnin vdekjen e tij përmes transmetimit apo ndonjë forme tjetër vizuale”, shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale.

Ai shtoi se ekzekutimi do të kryhet sipas planit, me pushkatim, por nuk do të transmetohet drejtpërdrejt.