Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Forumit dhe Kuvendit të Kosovës, me theks të veçantë në përmirësimin e politikave legjislative që synojnë rritjen e rolit të grave në ekonomi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu bëri të ditur se bashkëpunimi ndërinstitucional është një nga çështjet e trajtuara gjatë këtij takimi.
“Sot prita në takim delegacionin e Forumit Ekonomik të Grave, me të cilat diskutuam për hapat ndërinstitucionalë dhe mundësitë e bashkëpunimit me Kuvendin e Republikës së Kosovës, në avancimin e politikave legjislative për fuqizimin ekonomik të grave nga perspektiva e barazisë gjinore”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo gjithashtu e ka uruar Forumin Ekonomik të Grave për dhjetëvjetorin e themelimit, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë në çështjet me interes të përbashkët.
Haxhiu vlerësoi se përvoja dhe ekspertiza e Forumit mund të shërbejnë si mbështetje për punën parlamentare, veçanërisht përmes trajnimeve për deputetët dhe kontributit në punën e komisioneve parlamentare.
Takimi synon të forcojë bashkëpunimin në hartimin dhe avancimin e politikave që mbështesin fuqizimin ekonomik të grave dhe barazinë gjinore në Kosovë.
Burimi: RTKLive
