
Spanja kontinentale përjetoi shtatorin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, që nga nisja e matjeve në vitin 1961, me temperatura jashtëzakonisht të larta që e kthyen muajin në një vazhdim të verës, njoftoi sot Agjencia Kombëtare Meteorologjike e Spanjës (AEMET).
Temperatura mesatare në shtator arriti në 22,5 gradë Celsius, ose 3,4 gradë mbi mesataren e periudhës referuese 1991–2020.Sipas AEMET, kjo ishte hera e parë që temperatura mesatare e shtatorit tejkaloi edhe mesataren e muajve të verës, e cila për të njëjtën periudhë ishte 22,1 gradë Celsius.
Rekordi i ri vjen pas verës më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në Spanjë. Më 3 shtator, në komunën El Granado, në jugperëndim të vendit, u regjistruan 45,7 gradë Celsius, duke barazuar rekordin absolut të temperaturave për këtë muaj, shkruan abcnews.al, transmeton klankosova.tv.
Gjatë shtatorit, AEMET shpalli për herë të parë alarmin e kuq për temperatura ekstreme në disa zona të vogla të rajonit jugor të Andaluzisë. Ky ishte rasti i parë që nga viti 2007, kur filloi përdorimi i këtyre paralajmërimeve, që një alarm i tillë lëshohej gjatë muajit shtator.
Përveç temperaturave të larta, muaji u karakterizua edhe nga thatësira e theksuar. Reshjet arritën vetëm në 36 për qind të sasisë së zakonshme për shtatorin, bazuar në mesataren e periudhës 1991–2020.
Rekordet e temperaturave në Spanjë janë pjesë e një tendence më të gjerë në Evropë, ku valët e njëpasnjëshme të të nxehtit po shkaktojnë pasoja në shëndetin e njerëzve, ekonomi dhe jetën e përditshme.
Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po intensifikojnë valët e të nxehtit, ndërsa thatësira dhe nivelet e ulëta të lumenjve shtojnë presionin mbi burimet ujore dhe sektorë të ndryshëm ekonomikë.