
Kandidati kryesor i listës “Serbia e Bashkuar” Aleksandar Vuçiq përsëriti sot se do t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve “cilado qofshin ato”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të huaj, Vuçiq përsëriti se ai ose do ta pranojë humbjen ose do të shpallë fitoren në varësi të asaj që tregojnë rezultatet zgjedhore.
“Sonte do të shohim nëse do të përfundoj në opozitë apo në pushtet,” tha Vuçiq duke shtuar se ishte i kënaqur me mbështetjen nga presidenti rus Vladimir Putin.
“Besoj se sonte do të shohim vullnetin demokratik të qytetarëve dhe siç kam thënë gjithmonë, në zgjedhje mund të fitosh ose të humbësh. Ne gjithmonë do të veprojmë me përgjegjësi, nëse humbim, do ta pranojmë vullnetin e votuesve. Nëse fitojmë, askush nuk do të na e marrë atë, dhe kaq,” tha ish-presidenti i Serbisë dhe anëtar i Partisë Përparimtare Serbe.
Vuçiq përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij se Serbia sot përcakton drejtimin e saj “nëse po shkon drejt së ardhmes apo drejt së kaluarës, drejt epokës së privatizimeve grabitqare, shkatërrimit ekonomik të vendit dhe poshtërimit politik si të kombit, ashtu edhe të vetë shtetit”.
Kujtojmë, Serbia doli sot në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat mund të rezultojnë si prova më e rëndësishme për administratën e Aleksandar Vuçiq në 14 vjetët e fundit, shkruan KosovaPress transmeton Klankosova.tv.
Për herë të parë, blloku i tij përballet me një sfidë serioze nga një forcë politike që lindi prej protestave studentore, pas shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, një tragjedi në nëntor 2024 që u mori jetën 16 personave. Tetëmbëdhjetë lista garojnë për 250 ulëse në Parlament, në mesin e tyre edhe Koalicioni Shqiptar nga Lugina e Preshevës me numrin 17.
Sipas Ipsos dhe CeSID, 67,6 për qind e votuesve kishin votuar deri në orën 19:00. Në zgjedhjet e mëparshme, pjesëmarrja e votuesve deri në orën 19:00 ishte 55,9 për qind.
Ndërsa, sipas të dhënave më të fundit nga Komisioni Republikan Zgjedhor, 64,89 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve kishin votuar deri në orën 18:00. Pjesëmarrja ishte 66,9 për qind në Vojvodinë, 65,67 për qind në Beograd, 64,53 për qind në rajonin e Shumadisë dhe Serbisë Perëndimore, si dhe 62,01 për qind në rajonin e Serbisë Jugore dhe Lindore.
Në zgjedhjet e vitit 2023, pjesëmarrja e votuesve deri në orën 18:00 ishte 51,93 për qind.
Gjithsej 6,45 milionë qytetarë kishin të drejtë vote. Për hyrje në parlament kërkohet një prag zgjedhor prej tre për qind, me përjashtim të listave të komuniteteve.