A mund të udhëtojmë në kohë? Fizikani thotë se vetëm një drejtim është i mundur

A mund të udhëtojmë në kohë? Fizikani thotë se vetëm një drejtim është i mundur

Written by

in

A keni menduar ndonjëherë se ku do të shkonit nëse do të kishit një makinë kohe?

Një fizikan nga Kina thotë se përgjigjja mund të jetë më zhgënjyese sesa duket: mund të udhëtojmë vetëm drejt së ardhmes, jo drejt së kaluarës.

Hongsheng Zhang, studiues në Universitetin e Jinanit, ka treguar se në një kategori të gjerë modelesh teorike të universit, kthimi në të kaluarën mund të jetë i pamundur.

Argumenti i tij mbështetet në mënyrën se si drita dhe objektet lëvizin në hapësirë-kohë.

Sipas tij, nëse hapësirë-koha mund të ndahet në “shtresa” përgjatë të cilave udhëton drita, çdo objekt që lëviz më ngadalë se drita duhet t’i kalojë këto shtresa vetëm në një drejtim.

Zhang e krahason këtë me një shkallë ku mund të ngjitesh vetëm lart, por nuk mund të zbresësh përsëri në shkallën nga e cila ke nisur.

Dy përjashtime teorike

Megjithatë, teoria lë dy mundësi që, të paktën matematikisht, mund të lejonin kthimin në të kaluarën.

E para lidhet me zona ekstreme, si afër qendrës së një vrime të zezë që rrotullohet. Në këto raste, vetë hapësira dhe koha mund të “përdridhen” aq shumë sa trajektorja e një objekti mund të formojë një lak.

Mundësia e dytë lidhet me formën ose topologjinë e universit. Në teori, hapësira mund të jetë e ndërtuar në atë mënyrë që një udhëtim gjithmonë “përpara” të të çojë përsëri në pikën nga ku ke nisur.

Këto rrugë njihen në fizikë si “kurba kohore të mbyllura”.

Udhëtimi drejt së ardhmes është real

Ndryshe nga udhëtimi në të kaluarën, “udhëtimi” drejt së ardhmes është i mbështetur nga teoria e relativitetit të Albert Einsteinit.

Kur një person lëviz me shpejtësi shumë të madhe ose ndodhet në një fushë shumë të fortë gravitacionale, koha për të kalon më ngadalë krahasuar me dikë tjetër.

Për këtë arsye, astronautët që kalojnë muaj në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor kthehen në Tokë disa të mijtat e sekondës më të rinj sesa do të ishin po të kishin qëndruar në Tokë.

Megjithatë, Zhang thekson se studimi i tij nuk provon se udhëtimi në kohë është absolutisht i pamundur.

Ai vetëm tregon se, në disa lloje të hapësirë-kohës, vetë gjeometria e universit nuk lejon kthimin në të kaluarën. /Telegrafi/