Sulmuesi brazilian e ndoqi nga jashtë fushës fitoren 2:1 të madrilenëve në “Spotify Camp Nou”, pasi ishte i pezulluar për katër ndeshje. Megjithatë, vëmendjen e mori Yan Diomande, i cili shfrytëzoi rastin për të dëshmuar vlerat e tij dhe për të shtuar konkurrencën në repartin ofensiv.
Paraqitja e mirë e futbollistit nga Bregu i Fildishtë ka bërë që diskutimi të mos përqendrohet vetëm te mungesa e Viniciusit, por edhe te pozita që braziliani do ta ketë në skuadër pas rikthimit.
Situata rikthen në kujtesë episodet e sezonit të kaluar, kur Vinicius u përplas me trajnerin e atëhershëm, Xabi Alonso, pas zëvendësimit në një tjetër “El Clasico”.
Në atë ndeshje, të cilën Real Madridi e fitoi 2:1 ndaj Barcelonës, Alonso e largoi brazilianin nga loja në minutën e 72-të, duke e zëvendësuar me Rodrygo Goes. Vinicius reagoi me zemërim, u drejtua fillimisht kah zhveshtoret dhe më pas u kthye në bankën rezervë.
Ky episod u pasua nga një periudhë tensionesh mes futbollistit dhe trajnerit spanjoll. Në të njëjtën kohë, forma e Viniciusit pësoi rënie, ndërsa Real Madridi e mbylli sezonin pa trofe për të dytin vit radhazi.
Tani, me Diomanden që po fiton terren, braziliani përballet me një sfidë të re për ta dëshmuar rëndësinë e tij në projektin e Mourinhos.
Edhe vendimet e fundit të trajnerit portugez kanë shtuar pikëpyetjet. Mourinho e ka zëvendësuar Viniciusin në dy ndeshjet e fundit të Real Madridit në Ligën e Kampionëve: në minutën e 59-të ndaj Romës dhe në të 70-tën kundër Leipzigut.
Këto vendime kanë nxitur diskutime nëse Mourinho synon t’i japë brazilianit një rol ndryshe nga ai që ka pasur gjatë sezoneve të fundit.
Për Viniciusin, sfida tashmë nuk është vetëm rikthimi në fushë, por edhe ruajtja e pozitës së tij në formacionin e parë. Në anën tjetër, Diomande duket i gatshëm të shfrytëzojë çdo mundësi për ta bindur trajnerin se meriton më shumë hapësirë.
Mbetet të shihet nëse historia do të përsëritet dhe “El Clasico” do të shënojë fillimin e një periudhe të vështirë për brazilianin, apo nëse Vinicius do të reagojë fuqishëm dhe do ta rikthejë konkurrencën në favorin e tij.
Burimi: RTKLive
