Sipas deklaratës së AARC-së, Meeks rikonfirmoi mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara.
Sa i përket Kosovës, kongresisti theksoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të forta me SHBA-në dhe mbështetjen për integrimin e mëtejshëm të vendit në institucionet euroatlantike. Ai gjithashtu kërkoi ndryshim të qasjes së Serbisë ndaj shqiptarëve dhe mbështeti barazinë e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës me ato që u garantohen serbëve në Kosovë.
Gjatë takimit u diskutua edhe për forcimin e Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, si dhe mundësinë e organizimit të një delegacioni dypartiak të Kongresit në Ballkanin Perëndimor.
Diskutimet përfshinë edhe Dhomat e Specializuara në Hagë. Sipas AARC-së, Meeks shprehu mendimin se procedurat duhej të rishqyrtoheshin dhe se duhej t’u jepej më shumë konsideratë mundësive që mund të çonin në lirimin e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
AARC e vlerësoi takimin si pjesë të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit dypartiak në Uashington dhe të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.
Burimi: RTKLive
