Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se partia e tij do të marrë pjesë në Grupin Punues të formuar për çështjen e Gjykatës Speciale.
Abdixhiku tha se i ka kërkuar shefes së Grupit Parlamentar të LDK-së që përfaqësues i kësaj partie në grup të jetë deputeti Kujtim Shala. Në rast se Shala nuk mund të marrë pjesë, sipas tij, LDK-ja do të përfaqësohet nga Jehona Lushaku-Sadriu.
“Po natyrisht, do të marrim pjesë. I kërkova shefes së grupit parlamentar që të propozojë akademik Kujtim Shalën. Nëse akademik Kujtim Shala nuk mund të marrë pjesë, atëherë me siguri do të jetë vetë Jehona Lushaku-Sadriu”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se LDK-ja e mirëpret çdo përpjekje të përbashkët kombëtare, por paralajmëroi se iniciativa të tilla nuk duhet të paraqiten si zgjidhje nëse nuk kanë efekt juridik.
Burimi: Dukagjini
