Abdixhiku reagon për Ligjin për Specialen: Lufta e UÇK-së mbrohet me punë e mend

Abdixhiku reagon për Ligjin për Specialen: Lufta e UÇK-së mbrohet me punë e mend

Written by

in

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas kërkesës së PDK-së për kthimin në rishqyrtim të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke kritikuar akuzat që, sipas tij, i janë bërë LDK-së për qëndrimin e saj ndaj këtij ligji. Abdixhiku ka thënë se partia e tij është fyer dhe është shpallur tradhtare, vetëm pse ka mbajtur qëndrimin se ndryshimet ligjore nuk do të kishin asnjë efekt juridik.

“Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini?”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka thënë se LDK-ja është fyer dhe është paraqitur si kundërshtare e UÇK-së për shkak të qëndrimit të saj ndaj ndryshimeve ligjore.

“Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik!”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sipas tij, LDK-ja e ka mbajtur qëndrimin e saj, pavarësisht sulmeve që do të pasonin.

“LDK e mbajti qëndrimin e vet, duke e ditur çmimin e sulmeve që do të pasonin. Sepse përgjegjësia ndaj Republikës na obligon ta themi atë që besojmë se është e drejtë, edhe kur është më e lehtë t’i bashkohesh zhurmës”, ka shkruar ai.

Abdixhiku u është drejtuar edhe mbështetësve të LDK-së, duke u bërë thirrje të qëndrojnë krenarë për qëndrimet e partisë.

“Mbështetësve tanë u themi qëndroni gjithmonë krenarë! Mund të na sulmojnë nga të gjitha anët, por qëndrimet e LDK-së i kanë qëndruar provës së historisë. Do t’i qëndrojnë sërish! Sepse ato nuk përcaktohen nga vërshimet e momentit, por nga bindjet mbi Republikën. Veç duhet kohë”, ka theksuar Abdixhiku.

Në fund, kreu i LDK-së ka theksuar se lufta e UÇK-së është e shenjtë.

“Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Ajo mbrohet me punë e me mend. Jo kështu!”, ka përfunduar Abdixhiku.

Burimi: RTKLive