
Gjiganti gjerman i veshjeve sportive, Adidas, ka ngritur padi ndaj markës australiane White Fox, duke e akuzuar për shkelje të të drejtave të markës tregtare përmes shitjes dhe reklamimit të veshjeve me katër vija paralele.
Adidas pretendon se dizajni i përdorur nga White Fox është “mashtrueshëm i ngjashëm” me logon e saj karakteristike me tri vija dhe se marka australiane po përpiqet të përfitojë nga reputacioni i kompanisë gjermane.
Sipas Adidas, që nga marsi i këtij viti, White Fox-it i është kërkuar disa herë të ndalojë shitjen dhe promovimin e produkteve në fjalë, por kompania ka refuzuar.
Gjatë një seance në Gjykatën Federale të Australisë, avokatët e White Fox mohuan shkeljen e të drejtave të markës tregtare. Ata paralajmëruan se do të argumentojnë se edhe kompani të tjera të njohura të modës shesin veshje me vija dekorative të ngjashme.
Nga ana tjetër, Adidas pretendon se reklamat e White Fox mund t’i bëjnë konsumatorët të besojnë se ekziston një lidhje mes dy kompanive ose se Adidas e ka miratuar dizajnin e markës australiane.
Kompania gjermane ka paraqitur në gjykatë krahasime të produkteve, fotografi të reklamave në autobusë dhe stacione, si dhe imazhe të veshjeve të promovuara nga persona që mbanin produkte origjinale të Adidas-it.
Adidas pretendon gjithashtu se në disa fotografi të publikuara online, logoja e saj në këpucët e personave që reklamonin produktet e White Fox-it ishte ndryshuar në mënyrë digjitale pas nisjes së procedurave gjyqësore.
Përveç ndalimit të përdorimit të dizajneve të kontestuara, Adidas po kërkon edhe dëmshpërblim, përfshirë fitimet e realizuara nga shitja e produkteve, interesin dhe shpenzimet gjyqësore.
Adidas ka të regjistruar markën e saj me tri vija në Australi që nga viti 1957 dhe në vitin 2013 kishte fituar një proces gjyqësor në këtë shtet kundër kompanisë Pacific Brands për shitjen e këpucëve me katër vija.
White Fox, e themeluar në vitin 2013, është një markë e modës së shpejtë e njohur në mesin e të rinjve në Australi, Britani të Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas gazetës “Australian Financial Review”, kompania realizoi të hyra prej 542 milionë dollarësh australianë gjatë 12 muajve deri në qershor të vitit 2025, rreth katër herë më shumë se në vitin 2022.
Procesi gjyqësor pritet të zgjasë tri deri në katër ditë dhe mund të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Adidas padit White Fox-in për ngjashmëri me logon e saj appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali