Administrata Trump mbështet Orbanin për kreun e OKB-së

Administrata Trump mbështet Orbanin për kreun e OKB-së

Written by

in

Zyrtarë të administratës së presidentit amerikan Donald Trump po mbështesin kandidaturën e ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), raporton Euronews, duke cituar gazetën amerikane Wall Street Journal.

Sipas raportimit, Orban mund të jetë kandidat i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës, ndërsa burime nga të tria vendet kanë konfirmuar mbështetjen e administratës Trump për kandidaturën e tij.

Orban humbi pushtetin në zgjedhjet parlamentare të prillit në Hungari, kur partia Tisza e Peter Magyarit e mposhti pas 16 vjetësh qeverisjeje.

Megjithatë, ish-kryeministri hungarez ka ruajtur lidhje të ngushta me presidentin amerikan Donald Trump, presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping.

Sipas Wall Street Journal, ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar për këtë plan.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se bisedimet e mëparshme sugjerojnë se edhe Rusia dhe Kina e mbështesin këtë ide.

“Nëse Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina duan të njëjtën gjë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, zakonisht e arrijnë atë”, kanë thënë për gazetën zyrtarë nga SHBA-ja dhe një vend tjetër.

Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandr Alimov, ka deklaruar se as SHBA-ja, as Rusia dhe as Kina nuk mund ta propozojnë Orbanin, pasi janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit.

Shtëpia e Bardhë dhe Pekini nuk i kanë konfirmuar raportimet.

Sipas Wall Street Journal, Orban do të kandidonte vetëm nëse fitorja e tij do të ishte e garantuar, gjë që aktualisht duket pak e mundshme.

Për t’u zgjedhur, një kandidat duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën nëntë prej 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ndërsa secili nga pesë anëtarët e përhershëm ka të drejtën e vetos.

Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, ka deklaruar se nuk pret që Polonia ta mbështesë kandidaturën e Orbanit.

Edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andrij Sybiha, ka kundërshtuar idenë, duke kritikuar përdorimin e vetos nga Orbani për bllokimin e vendimeve të rëndësishme të BE-së.

Mandati i dytë pesëvjeçar i Sekretarit aktual të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfundon më 31 dhjetor.

Burimi: RTKLive