Mesfushori 17-vjeçar i New York Red Bulls ka bërë hapa të mëdhenj në karrierën e tij, ndërsa së fundmi debutoi edhe me përfaqësuesen A të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Mehmeti, prindërit e të cilit janë nga Shqipëria, po përjeton një vit të jashtëzakonshëm, duke kaluar brenda një kohe të shkurtër nga ekipi i dytë te formacioni i parë i New York Red Bulls dhe më pas te kombëtarja amerikane.
Talenti i ri është bërë një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës së tij, falë pjekurisë në lojë, qetësisë me topin dhe aftësisë për të kontrolluar ritmin e ndeshjes. Edhe pse është vetëm 17 vjeç, ai luan në pozitën e mesfushorit defensiv, një rol që kërkon disiplinë taktike, vendimmarrje të shpejtë dhe përgjegjësi të madhe në fushë.
Në një intervistë për “CNN Sports”, Mehmeti ka pranuar se ngritja e tij e shpejtë në karrierë e ka befasuar edhe vetë.
“Nuk e prisja që gjithçka të ndodhte kaq shpejt”, ka deklaruar ai, duke shprehur mirënjohje për trajnerët dhe stafin që i kanë besuar mundësinë për të luajtur në nivelin më të lartë.
Nga oborri i shtëpisë te futbolli profesionist
Dashuria e Mehmetit për futbollin nisi që në fëmijëri, kur ishte vetëm dy vjeç dhe luante me top së bashku me babanë e tij. Pikërisht ai ka qenë ndikimi më i madh në rrugëtimin e mesfushorit të ri, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.
“Babai im është ndikimi më i madh për mua, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj”, ka treguar Mehmeti, duke kujtuar se si lojërat e përditshme në oborrin e shtëpisë ia shtuan dashurinë për futbollin.
Në vitin 2019, kur ishte rreth dhjetë vjeç, ai iu bashkua akademisë së Neë York Red Bulls, ku kaloi gradualisht grupmoshat e ndryshme, deri në ekipin e parë.
Në shkurt bëri debutimin me ekipin senior, ndërsa në prill shënoi golin e tij të parë në Major League Soccer (MLS). Paraqitjet e mira e kanë ndihmuar të fitojë gjithnjë e më shumë besimin e stafit teknik.
Nga Shqipëria te përfaqësuesja amerikane
Një tjetër hap i rëndësishëm në karrierën e tij ishte ftesa nga përzgjedhësi Mauricio Pochettino për përfaqësuesen A të SHBA-së.
Mehmeti kishte luajtur më parë për grupmoshat e Shqipërisë, duke ndjekur edhe lidhjen familjare me vendin e origjinës së prindërve të tij. Megjithatë, ai debutoi me kombëtaren amerikane në shtator, në ndeshjen kundër Perusë, të cilën SHBA-ja e fitoi me rezultat 4:1.
Mesfushori u aktivizua në minutën e 88-të, duke zëvendësuar Tyler Adamsin, një tjetër futbollist që ka dalë nga sistemi i zhvillimit të Neë York Red Bulls.
Debutimi shënoi një moment të rëndësishëm për talentin e ri, i cili tashmë synon të bëhet pjesë e gjeneratës së ardhshme të futbollit amerikan.
Frymëzim nga yjet e futbollit evropian
Pavarësisht përparimit të shpejtë, Mehmeti vazhdon të jetë i përqendruar te zhvillimi i tij. Ai ndjek ndeshje dhe analizon paraqitjet e veta, duke kërkuar vazhdimisht mënyra për t’u përmirësuar.
Në mesin e futbollistëve që e frymëzojnë janë Rodri dhe Pedri, ndërsa mesfushori i ri synon të përvetësojë sa më shumë nga lojtarët që vlerëson për cilësitë e tyre teknike dhe taktike.
“Përpiqem t’i kushtoj vëmendje çdo detaji, çdo ditë, në mënyrë që të bëhem një për qind më i mirë”, ka thënë ai.
Për momentin, Mehmeti është i përqendruar te Neë York Red Bulls, edhe pse interesimi nga klube evropiane për zhvillimin e tij raportohet të jetë në rritje.
Me origjinë shqiptare, një debutim të hershëm me kombëtaren amerikane dhe një të ardhme që premton shumë, Adri Mehmeti po bëhet një emër për t’u përcjellë nga afër në vitet e ardhshme të futbollit ndërkombëtar.
Burimi: RTKLive
