Aeroplani i Airbus nga Dublini drejt Romës devijohet në një bazë ajrore në Francë pas alarmit për bombë

Aeroplani i Airbus nga Dublini drejt Romës devijohet në një bazë ajrore në Francë pas alarmit për bombë

Written by

in

Një avion i kompanisë Airbus, që udhëtonte nga Dublini drejt Romës, është devijuar të enjten drejt një baze ajrore në veri të Francës, pas një alarmi për bombë.

Zyra e kryeministrit francez, Sébastien Lecornu, bëri të ditur se situata po monitorohet, pa dhënë detaje të tjera lidhur me incidentin.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi katër fluturime të pasagjerëve, me destinacion Poloninë, Spanjën dhe Bullgarinë, u përballën me kërcënime për bomba të martën.

Të gjitha avionët u ulën në mënyrë të sigurt dhe autoritetet nuk gjetën eksplozivë në asnjërin prej tyre, transmeton Telegrafi.

Dy nga kërcënimet kishin të bënin me fluturime drejt Varshavës. I pari ishte fluturimi SK751 i kompanisë SAS Scandinavian Airlines, nga Kopenhaga, i cili u ul normalisht në aeroportin kryesor të kryeqytetit polak, Chopin. Gjatë kontrollit të avionit, njëra nga pistat e aeroportit u mbyll përkohësisht.

“Avioni u ul normalisht në Varshavë dhe pasagjerët kanë zbritur”, deklaroi kompania skandinave, pasi konfirmoi se kishte marrë një kërcënim për bombë lidhur me fluturimin.

Fluturimi i dytë ishte një Boeing 737 MAX i kompanisë LOT Polish Airlines, që udhëtonte nga aeroporti Heathrow i Londrës. Avioni duhej të ulej në aeroportin Chopin, por u devijua drejt aeroportit të dytë të qytetit, Varshava-Modlin, i cili u mbyll pas alarmit.

Në Spanjë, operatori i aeroporteve Aena aktivizoi protokollin e emergjencës pas një alarmi për bombë në një fluturim të Ryanair nga Mançesteri, në veriperëndim të Anglisë, drejt Murcias, në juglindje të Spanjës.

Avioni u ul pa incidente, ndërsa plani i emergjencës u anulua pasi Garda Civile kreu kontrollin e tij.

Fluturimi i katërt ishte një avion i kompanisë Wizz Air, i nisur nga Bergamo, në veri të Italisë. Ai u kontrollua pasi u ul në kryeqytetin bullgar, Sofje, në orën 10:10 sipas kohës së Evropës Qendrore, bëri të ditur një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Bullgarisë.

Qeveria britanike i cilësoi incidentet si “kërcënime të rreme keqdashëse”. /Telegrafi/