Aeroplani i United Airlines kthehet në Las Vegas pas kërcënimeve terroriste, arrestohet një 25-vjeçar

Aeroplani i United Airlines kthehet në Las Vegas pas kërcënimeve terroriste, arrestohet një 25-vjeçar

Written by

in

Një aeroplan i kompanisë ajrore United Airlines, që ishte nisur nga Las Vegasi drejt Newarkut, në New Jersey, u detyrua të kthehej në aeroportin ndërkombëtar Harry Reid të shtunën në mbrëmje, pasi ekuipazhi raportoi një incident me një pasagjer, të cilin kompania e përshkroi si “një shqetësim të mundshëm për sigurinë”.

Fluturimi 1681, me destinacion aeroportin Newark Liberty, u kthye në mënyrë të sigurt në Las Vegas rreth orës 23:05, pak kohë pas ngritjes, transmeton Telegrafi.

Sipas autoriteteve, aeroplani Boeing 737 transportonte 150 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit. Nuk u raportua për persona të lënduar.

Të hënën, Departamenti i Policisë Metropolitane të Las Vegasit konfirmoi se një person ishte arrestuar pasi kishte bërë kërcënime terroriste gjatë fluturimit.

Pas kthimit të avionit, policia ndaloi të dyshuarin, të identifikuar si Dante Milne, 25 vjeç, ndaj të cilit janë ngritur akuza të lidhura me terrorizmin.

Aeroporti ndërkombëtar Harry Reid bëri të ditur se avioni kishte ndryshuar drejtim menjëherë pas ngritjes, ndërsa Administrata Federale e Aviacionit (FAA) konfirmoi në një deklaratë paraprake se fluturimi ishte kthyer në mënyrë të sigurt. Agjencia tha se do të zhvillojë hetime për ngjarjen.

United Airlines njoftoi se fluturimi u shty për gjatë natës për shkak të kufizimeve të orarit të punës së ekuipazhit. Avioni u nis sërish drejt Newarkut mëngjesin e së dielës.

Ndërkohë, Milne është dërguar në Qendrën e Paraburgimit të Qarkut Clark. Sipas të dhënave gjyqësore, ai ka paguar garancinë prej 10 mijë dollarësh dhe është liruar me kusht në pritje të procedurave të mëtejshme.

I dyshuari pritet të paraqitet në gjykatë të martën, ku do të vijojë shqyrtimi i çështjes ndaj tij. /Telegrafi/