Ish-kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, pritet të dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në kuadër të rastit të njohur si “PAYKOS”, ku akuzohet për lidhje të kontratës së dëmshme.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Mustafa dyshohet se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit, më 16 mars 2015, kishte lidhur kontratë me kompaninë “Paykos L.L.C.” për ndërmjetësimin dhe shpërndarjen e produkteve të Telekomit, përfshirë mbushjet elektronike dhe kodet për kartela gërvishtëse.
Prokuroria pretendon se përmes kontratës dhe anekseve të mëvonshme, kushtet financiare ishin ndryshuar në disfavor të Telekomit, ndërsa kompania “Paykos” ishte favorizuar përmes përqindjes së provizionit.
Në aktakuzë, dëmi i pretenduar ndaj Telekomit të Kosovës është vlerësuar në 6 milionë e 796 mijë e 732 euro.
Aktakuza ndaj Mustafës është ngritur në maj të vitit 2023, ndërsa më 9 janar 2024, në seancën fillestare, ai ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.
Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte konfirmuar aktakuzën më 5 mars 2024, ndërsa Gjykata e Apelit më pas e kishte refuzuar ankesën kundër këtij vendimi.
Seanca e 11 marsit 2026 ishte anuluar me kërkesë të mbrojtjes, për arsye shëndetësore dhe personale.
Sot pritet të shihet nëse gjykimi do të vazhdojë me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve.
Burimi: Insajderi