Akil Gjakova ka shkëlqyer në Grand Prix të xhudos në Zagreb, duke fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Xhudisti kosovar e përfundoi garën me një paraqitje mbresëlënëse, ndërsa medaljen e siguroi të shtunën mbrëma pas një hedhjeje spektakolare për fitore me Ippon ndaj Anton Shualieievit, i cili përfaqëson Spanjën.
Kjo është një medalje shumë e rëndësishme për Gjakovën, i cili po rikthehet në nivelin më të lartë të xhudos botërore. Përveç medaljes, ai ka fituar edhe 350 pikë të vlefshme në ranglistën botërore.
Akili pati një ditë të gjatë dhe intensive në Zagreb, duke regjistruar katër fitore radhazi përpara se të ndalej në gjysmëfinale.
Fillimisht, ai mposhti rumunin Lucian Dumitrescu, për të vazhduar më pas me fitore ndaj ukrainasit Serhii Nebotov. Në luftën e tretë ishte më i mirë se Karim Abdulaev i Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa në çerekfinale e kaloi francezin Nathan Cadignan.
Megjithatë, në gjysmëfinale Gjakova pësoi humbje nga Giorgi Loladze i Gjeorgjisë, duke kaluar më pas në luftën për medaljen e bronztë, ku triumfoi bindshëm ndaj Shualieievit.
Në kategorinë deri në 73 kilogramë garoi edhe Dardan Cena, por ai u eliminua që në xhiron e parë, pasi u mposht nga Daniyar Shamshayev i Kazakistanit.
Ndërkohë, për Kosovën në Grand Prix të Zagrebit debutoi edhe Luke Davis. Xhudisti anglez, që përfaqëson Kosovën, garoi në kategorinë deri në 81 kilogramë, por u eliminua në luftën e parë nga meksikani Gilberto Cardoso./Telegrafi/