Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësimin për pjesëmarrjen më të ulët të komunave në buxhetin e përgjithshëm të shtetit për vitin 2027, pavarësisht rritjes së shumës së përgjithshme të mjeteve të ndara për nivelin lokal.
Sipas AKK-së, buxheti i komunave pritet të rritet nga 867.6 milionë euro në vitin 2026 në 908 milionë euro në vitin 2027, apo 4.66 për qind. Megjithatë, pjesëmarrja e tyre në buxhetin e përgjithshëm të shtetit, sipas përllogaritjeve të këtij asociacioni, bie nga rreth 21.7 për qind në 21.3 për qind.
“Pra, komunave u ndahet një pjesë më e vogël e buxhetit të shtetit”, thuhet në reagimin e AKK-së.
Asociacioni vlerëson se, nëse inflacioni vazhdon në nivelin e muajve të fundit dhe rritja e koeficientit të pagave nga korriku mbulohet nga kjo shumë, fuqia reale blerëse e mjeteve jashtë pagave do të jetë më e ulët në vitin 2027, shkruan Telegrafi.
Sipas përllogaritjes orientuese të AKK-së, këto mjete pritet të bien nga rreth 445.6 milionë euro në vitin 2026 në 433 milionë euro në vitin 2027, që paraqet një zvogëlim prej rreth 12.6 milionë eurosh, apo 2.8 për qind.
“Kjo nënkupton rreth 12.6 milionë euro, ose 2.8%, më pak mundësi reale për investime, mirëmbajtje dhe shërbime”, theksohet në reagim.
AKK-ja ka ngritur shqetësimin edhe për detyrimet që rrjedhin nga kontratat kolektive dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore. Sipas të dhënave të këtij asociacioni, vetëm gjatë vitit 2026 komunave u janë tërhequr rreth 100 milionë euro përmes ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
“Vazhdimi i këtyre tërheqjeve edhe më 2027 do ta ngushtonte më tej hapësirën për investime”, thuhet në reagim.
Në fund, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar më shumë fuqi financiare për nivelin lokal, duke vlerësuar se rritja nominale e buxhetit nuk e pasqyron domosdoshmërisht rritjen e mundësive reale për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Shifrat rekord në letër nuk e kompensojnë zvogëlimin e pjesëmarrjes në buxhet dhe humbjen e fuqisë blerëse”, përfundon reagimi i AKK-së. /Telegrafi/