Drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, ka vlerësuar emocionin e veçantë që solli ky edicion, veçanërisht rikthimin e emërtimit “Akordet e Kosovës”. Ajo ka theksuar se synimi ishte ndërtimi i një lidhjeje të natyrshme mes Festivalit të Këngës dhe “Akordeve të Kosovës”, dy ngjarje të rëndësishme muzikore që plotësojnë njëra-tjetrën.
Spahiu ka vlerësuar lart edhe garuesit e festivalit të rritur, të cilët u prezantuan në dy netët e mbajtura më 30 dhe 31 tetor, duke sjellë këngë të reja dhe krijime që pasurojnë skenën muzikore.
E veçantë e këtij edicioni është organizimi, për herë të parë, i Festivalit të Fëmijëve, i cili mbahet sonte, më 1 nëntor, në kuadër të “Akordeve të Kosovës”. Fëmijët do të ngjiten në skenë për të prezantuar talentin e tyre, ndërsa programi fillon në orën 20:30.
Ajo ka falënderuar stafin e RTK-së dhe bashkëpunëtorët profesionalë për angazhimin, Ministrinë e Kulturës për mbështetjen që nga edicioni i parë, si dhe të gjithë garuesit për kontributin e tyre.
Në përfundim, Spahiu ka theksuar përkushtimin e RTK-së për të vazhduar me profesionalizëm dhe për të ngritur edhe më tej nivelin e edicioneve të ardhshme të “Akordeve të Kosovës”.
Burimi: RTKLive
