Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dhjetë persona kanë humbur jetën në vendin e aksidentit, ndërsa një tjetër ka vdekur në spital. Gjithsej 46 të lënduar janë dërguar në spitalet e Slivenit, Jambollit dhe Burgasit. Njëri prej pacientëve, i shtruar në spitalin e Burgasit, ndodhet në gjendje të rëndë dhe po operohet.
Në aksidentin zinxhiror janë përfshirë 86 automjete. Operacioni për pastrimin e vendit të ngjarjes është ende në vazhdim, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se numri përfundimtar i viktimave do të konfirmohet pas përfundimit të tij. Pjesa më e vështirë e operacionit është largimi i automjeteve, të cilat janë grumbulluar njëra mbi tjetrën.
Kryeministri Radev ka udhëzuar ministrin e Brendshëm, Ivan Demerdzhiev, të udhëtojë drejt Burgasit për të koordinuar transportimin e të lënduarve drejt spitaleve në Sofje.
Për këtë operacion janë vënë në dispozicion dy aeroplanë ushtarakë të tipit Spartan. Ndërkaq, helikopteri mjekësor nuk ka mundur të ulet në zonën e aksidentit për shkak të mjegullës së dendur.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ndodhej në Bullgari në kuadër të një vizite rajonale, ka shprehur mirëkuptim për anulimin e agjendës së kryeministrit.
Edhe mbledhja e Qeverisë bullgare, e planifikuar për pasditen e së martës, është anuluar.
Burimi: RTKLive
