
Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen është regjistruar pasditen e sotme në aksin rrugor Fier–Seman, ku si pasojë e përplasjes ka humbur jetën një 80-vjeçar, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 16:15, kur një automjet i drejtuar nga 61-vjeçari me inicialet V. M. është përplasur me një biçikletë që po drejtohej nga i moshuari me inicialet N. P.
Përplasja ka rezultuar fatale për 80-vjeçarin, i cili për shkak të plagëve të rënda ka ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Ndërkaq, drejtuesi i automjetit, 61-vjeçari V. M., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë aksident fatal.
Burimi: Sinjali