
Një aksident trafiku ku janë përfshirë tri automjete ka ndodhur pasditen e sotme në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”, saktësisht në kilometrin e 40-të, në zonën e Duhles së Suharekës. Si pasojë e përplasjes, katër persona kanë pësuar lëndime trupore.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se aksidenti është raportuar rreth orës 14:00 dhe se njësitet relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Referuar informacioneve nga terreni, ju konfirmoj se një aksident trafiku me përfshirjen e tri automjeteve është raportuar rreth orës 14:00, në autostradën ‘Dr. Ibrahim Rugova’ km 40, në Duhël të Suharekës. Në aksident raportohet për katër persona të lënduar, ndërsa për shkallën e lëndimeve të tyre mund t’i adresoheni shërbimeve shëndetësore”, ka deklaruar Hoxha për Sinjalin.
Ai shtoi se Njësia për Kontroll në Autostrada është duke u marrë me rastin dhe po zhvillon hetimet e nevojshme për të zbardhur shkaqet që çuan deri te ky aksident.
Me këtë rast, Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë shenjat e trafikut dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës, duke paralajmëruar masa rigoroze ligjore ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat e komunikacionit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali