
Katër persona, mes tyre zyrtarë të Gjykatave në Ferizaj dhe Gjakovë, si dhe një avokat, janë arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe ushtrim të ndikimit, raporton Sinjali.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se arrestimet janë kryer më 24 nëntor, pas një hetimi të gjatë të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit, të dyshuarit, të cilët dyshohet se kanë pasur role dhe pozita të ndryshme zyrtare, kanë ushtruar ndikim në proceset dhe afatet kohore të shpalljes së vendimeve gjyqësore, si dhe në çështje që lidhen me punësimin.
Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, policia ka realizuar kontrolle në dy lokacione të ndryshme në rajonin e Ferizajt.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar katër telefona celularë, dy shtëpiza kompjuteri dhe dokumentacion që mund të shërbejë si dëshmi në hetime.
Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të prokurorit, të katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Bashkëkryerje”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali