
Një person ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës pas një aksioni të zhvilluar sot në fshatin Dubovë e Madhe të Pejës, ku janë sekuestruar armë zjarri, substancë e dyshuar narkotike dhe pajisje që dyshohet se përdoreshin për paketimin e drogës.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, aksioni është realizuar më 8 nëntor 2026, rreth orës 13:05, nga Stacioni Policor në Pejë, me mbështetjen e Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH).
Gjatë kontrollit në vendbanimin e një personi të dyshuar, mashkull i moshës madhore, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të modifikuar, një karikator dhe tre fishekë.
Po ashtu, gjatë kontrollit janë zbuluar rreth 300 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, një pjesë e së cilës ishte e paketuar në qese të vogla.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar edhe një peshore dhe disa qese që dyshohet se përdoreshin për paketimin e substancës narkotike.
Pas zbulimit të këtyre provave, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin policor për intervistim.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali