Aktakuzë ndaj një personi për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan më 2023

Aktakuzë ndaj një personi për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan më 2023

Written by

in

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj A.S., për sulmin ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrjen në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm, lidhur me dhunën e 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri akuzohet se atë ditë, nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orët e mbrëmjes, në bashkëpunim me persona të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me të dyshuar të tjerë, ka sulmuar pjesëtarët e KFOR-it duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe së paku 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Po ashtu, gjatë sulmit janë dëmtuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

“A.S., akuzohet se në bashkëkryerje, përmes përdorimit të dhunës i ka sulmuar ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri. Si pasojë e këtyre sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, dhe së paku 30 (tridhjetë) pjesëtarë të KFOR-it, 3 (tre) prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda. Gjatë këtij sulmi po ashtu, janë sulmuar edhe veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e asaj dite”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e plotë të sulmit ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve.

Deri më tani, janë arrestuar disa persona për ngjarjet e 29 majit në Zveçan.

Burimi: Dukagjini