Aktakuzë ndaj tre personave në rastin e mbi gjysmë toni marihuanë në Maqitevë të Suharekës

Aktakuzë ndaj tre personave në rastin e mbi gjysmë toni marihuanë në Maqitevë të Suharekës

Written by

in

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje dhe si anëtarë të një grupi, nga një datë e papërcaktuar deri më 16 shtator 2025, kanë kultivuar kanabis në dy parcela në një zonë malore të fshatit Maqitevë të Suharekës.

Për këtë aktivitet, ata dyshohet se kishin instaluar sistem të ujitjes me rezervuar uji dhe gypa me sistem pikë-pikë.

“Aktiviteti i tyre është zbuluar më 16 shtator 2025, kur gjatë kontrolleve në një shtallë janë gjetur dhe sekuestruar 512 kilogramë marihuanë, të cilat ndodheshin në fazën e tharjes dhe përgatitjes për shpërndarje e shitje në treg”, thuhet në njoftim.

Sipas raportit të ekspertimit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, mostrat e ekzaminuara kanë rezultuar pozitive për kanabis që përmban substancën psikoaktive THC.

Përveç narkotikëve, gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar edhe armë dhe municion, përfshirë një raketë krahu antitank, një mortajë dore, një pushkë gjuetie dhe një pushkë gjysmëautomatike.

Sipas njoftimit, tre të pandehurit akuzohen për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa secili prej tyre akuzohet veçmas edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Gjithashtu, është kërkuar konfiskimi i përhershëm i dy parcelave me sipërfaqe prej 1,963 dhe 1,438 metrash katrorë, shtëpisë dhe shtallës që dyshohet se janë përdorur për kultivimin dhe përgatitjen e narkotikëve, substancave narkotike, pajisjeve për kultivim, armëve, municionit, telefonave mobilë, traktorit me rimorkio dhe provave të tjera materiale.

Burimi: RTKLive