Akuza për dhunë ndaj ish-gruas, xhudisti Akil Gjakova këtë muaj del para Gjykatës së Apelit

Akuza për dhunë ndaj ish-gruas, xhudisti Akil Gjakova këtë muaj del para Gjykatës së Apelit

Written by

in

Akuza për dhunë ndaj ish-gruas, xhudisti Akil Gjakova këtë muaj del para Gjykatës së Apelit

Seanca e kolegjit është caktuar më 25 nëntor, pasi Prokuroria e Apelit në Prishtinë dhe përfaqësuesja e ish-bashkëshortes kanë ushtruar ankesë ndaj aktgjykimit lirues të Gjykatës Themelore në Pejë. Insajderi sjell detajet

Gazeta Insajderi

Xhudisti Akil Gjakova do të dalë këtë muaj para Gjykatës së Apelit, në kuadër të procedurës penale për rastin e dhunës në familje ndaj ish-bashkëshortes së tij, Suela Muminovic.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, seanca e kolegjit do të mbahet më 25 nëntor 2026, në orën 10:40, në objektin e Pallatit të Drejtësisë në Hajvali.

Në dokumentin e Apelit bëhet e ditur se seanca është caktuar për shqyrtimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, si dhe të ankesës së përfaqësueses së autorizuar të të dëmtuarës, avokates Aurora Mulhaxha.

Ankesat janë paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin Gjakova ishte liruar nga akuza për veprën penale “Dhunë në familje”.

Si nisi rasti?

Rasti ishte bërë publik në prill të vitit 2024, pasi ish-bashkëshortja e xhudistit e kishte denoncuar atë për dhunë në familje. Në atë kohë, çifti ishte në proces të divorcit dhe kishte një fëmijë.

Pas denoncimit, Prokuroria e Shtetit kishte autorizuar Policinë e Kosovës për arrestimin e Gjakovës.

Ai ishte shpallur në kërkim pasi nuk ishte gjetur menjëherë nga autoritetet, ndërsa disa ditë më vonë ishte dorëzuar në pikën kufitare në Morinë.

Gjykata Themelore në Pejë nuk e kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

Në vend të kësaj, ndaj tij ishte caktuar një masë mbrojtëse, me ndalim afrimi ndaj gruas së tij dhe vendbanimit të saj.Në vendimin e siguruar nga Insajderi në atë kohë, Gjakovës i ndalohej t’i afrohej të dëmtuarës dhe vendit ku ajo banonte në një distancë prej 50 metrash.

Vendimi parashihte edhe masa të tjera lidhur me kontaktin dhe mbrojtjen e saj.Në kërkesën për urdhër mbrojtës, e cila ishte siguruar nga Insajderi, pretendohej se dhuna fizike dhe psikologjike kishte nisur që nga korriku i vitit 2023. Në dokument përmendej edhe pretendimi se fëmija kishte qenë dëshmitar i një episodi të dhunës.

Po ashtu, sipas kërkesës, më 13 prill 2024 ish-bashkëshortja dhe fëmija i tyre nuk ishin lejuar të hynin në banesën e përbashkët. Ajo ishte detyruar të kërkonte strehim dhe, sipas raportimeve të kohës, ishte strehuar në institucionet përkatëse.

Çfarë thuhej në aktakuzë

Prokuroria Themelore në Pejë e kishte ngritur aktakuzën ndaj Gjakovës në dhjetor të vitit 2024. Në aktakuzë, ai ngarkohej se, në periudhën nga viti 2023 deri në prill të vitit 2024, kishte ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes.Sipas përmbajtjes së aktakuzës, të publikuar më herët nga Insajderi, bëhej fjalë për kërcënime verbale, ofendime dhe pretendime për goditje me grushte në pjesë të ndryshme të trupit.

Në dosjen e Prokurorisë përmendeshin edhe mesazhe kërcënuese dhe denigruese që pretendohej se Gjakova ia kishte dërguar të dëmtuarës. Prokuroria pretendonte se veprimet kishin shkaktuar frikë dhe presion të vazhdueshëm psikologjik.Këto janë pretendime të Prokurorisë dhe të palës së dëmtuar, të cilat nuk janë vërtetuar me vendim të formës së prerë.

Akil Gjakova e gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Gjykata Themelore e liroi nga akuza

Pas shqyrtimit gjyqësor, Gjykata Themelore në Pejë, në Departamentin e Përgjithshëm, e kishte liruar Gjakovën nga akuza për dhunë në familje.Vendimi ishte marrë nga gjyqtari Shaqë Curri.

Gjykata kishte bërë të ditur se e dëmtuara ishte udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta realizonte në procedurë kontestimore civile.Në njoftimin për aktgjykimin lirues thuhej se palët kishin të drejtë ankese brenda afatit ligjor prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit. Pikërisht këto ankesa tash do të shqyrtohen nga Gjykata e Apelit.

Nga dokumenti i Apelit rezulton se në këtë fazë të procedurës nuk po shqyrtohet një akuzë e re, por ankesat ndaj vendimit të shkallës së parë. Kolegji do të vlerësojë pretendimet e palëve dhe ligjshmërinë e aktgjykimit të Gjykatës Themelore.

Reagimi i Federatës së Xhudos

Në kohën kur Gjakova ishte shpallur në kërkim, Federata e Xhudos së Kosovës kishte deklaruar se e dënonte çdo formë të dhunës, por njëkohësisht kishte shprehur bindjen në pafajësinë e sportistit.Federata kishte kërkuar që institucionet ta trajtonin rastin dhe mediat të tregonin kujdes, duke kundërshtuar, siç ishte shprehur, “gjykimin publik” ndaj një prej sportistëve më të njohur të Kosovës.

Akil Gjakova është një nga emrat më të njohur të xhudos kosovare dhe ka përfaqësuar vendin në gara të mëdha ndërkombëtare. Pikërisht për shkak të profilit të tij publik, rasti kishte marrë vëmendje të madhe, ndonëse një pjesë e raportimeve publike ishte fokusuar më shumë te karriera e tij sportive sesa te përmbajtja e dokumenteve gjyqësore.Tash, për herë të dytë, vendimi për rastin do të jetë në duart e një gjykate të shkallës së dytë.

Seanca e 25 nëntorit do të tregojë nëse aktgjykimi lirues do të mbetet në fuqi apo nëse çështja do të kthehet për rishqyrtim

Burimi: Insajderi