
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, është takuar sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin ka diskutuar për çështje me interes të përbashkët për shqiptarët dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka bërë të ditur se takimi u zhvillua në një frymë vëllazërore dhe me përkushtim, ndërsa në fokus ishin thellimi i bashkëpunimit, perspektiva evropiane, partneriteti në kuadër të NATO-s dhe sfidat me të cilat përballen të dyja vendet.
Ahmeti ka theksuar se takimi merr një domethënie të veçantë pasi u zhvillua më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
“Këto ditë të Nëntorit të Madh na rikujtojnë rrugëtimin tonë historik, sakrificat ndër breza dhe rëndësinë e bashkimit rreth gjuhës, flamurit dhe interesave tona kombëtare”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka shtuar se shqiptarët, kudo që jetojnë, kanë arsye dhe përgjegjësi të ndërtojnë ura bashkëpunimi, të forcojnë lidhjet mes tyre dhe të kontribuojnë së bashku për një të ardhme evropiane, të sigurt dhe me perspektivë.
“Gëzuar 22 Nëntorin dhe le të na bashkojë gjithmonë fryma e Nëntorit shqiptar!”, ka përfunduar Ahmeti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali