Alienimi – Pse njerëzit ndihen të shkëputur nga shoqëria, puna dhe vetja?

Alienimi - Pse njerëzit ndihen të shkëputur nga shoqëria, puna dhe vetja?

Written by

in

Alienimi - Pse njerëzit ndihen të shkëputur nga shoqëria, puna dhe vetja?

Gradualisht filloi të përjetonte një ndjenjë të çuditshme shkëputjeje.

Edhe pse kishte arritur atë që shumë të rinj e konsideronin sukses, ajo nuk ndihej e përmbushur. Praktikat profesionale, mundësitë e punësimit dhe bisedat për karrierën i shkaktonin ankth dhe lodhje. Shpesh, pas një dite pune, qëndronte disa minuta në veturë para se të hynte në shtëpi, sepse ndihej e zbrazët emocionalisht.

E kuptoi se një pjesë të madhe të jetës e kishte ndërtuar mbi dëshirat e prindërve, pritshmëritë e shoqërisë dhe frikën se mos mbetej prapa të tjerëve. Kishte mësuar të ishte personi që të gjithë e admironin, por kishte harruar të pyeste veten se çfarë dëshironte vërtet?

Kështu u rrëfye një vajzë në FemPhases.

Psikologia Lirije Haziraj për Klankosova.tv shpjegoi se një nga paradokset e jetës është pikërisht ndjesia e të qenit i huaj në vendin ku duhet të ndihesh më i pranuar.

Ajo theksoi se kjo ndjenjë lidhet jo domosdoshmërisht me mungesën e njerëzve përreth, por me mungesën e sigurisë emocionale për të qenë vetvetja.

Sipas saj, shpesh, njeriu mësohet të jetojë përmes roleve që merr përsipër: të jetë fëmija i dëgjueshëm, partneri i fortë, prindi që nuk dorëzohet apo miku që gjithmonë ka një zgjidhje.

Me kalimin e kohës, psikologia thotë se këto role mund ta largojnë nga identiteti i tij i vërtetë.

“Kur kthehet në shtëpi, ai nuk çlodhet, por thjesht vazhdon të luajë rolin. Dhe si mund të mos ndihesh i huaj, kur askush nuk e njeh personin e vërtetë që fshihet pas maskës së jashtme?” – tha Haziraj.

Pikërisht këtë dimension të alienimit, që nuk lidhet domosdoshmërisht me izolimin fizik, por me largësinë emocionale dhe shpirtërore nga shoqëria, e thekson edhe Kryetari i Shoqatës së Filozofëve, filozofi Ridvan Emini, i cili e sheh atë si një prej paradokseve të shoqërisë bashkëkohore.

“…Alienimi nuk lind vetëm kur liria kufizohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe atëherë kur njeriu i përvetëson normat shoqërore deri në atë pikë sa nuk arrin që ti dallojë dëshirat e veta nga ato që shoqëria i imponon…” – deklaroi ai për Klankosova.tv.

Duke iu referuar filozofes Rahel Jaeggi dhe veprës Alienation, Emini e shpjegoi se alienimi lidhet me një marrëdhënie të cenuar të individit me vetveten dhe botën përreth.

Ndërkaq, përmendi edhe filozofin Hartmut Rosa dhe veprën Resonance që thekson rëndësinë e marrëdhënieve kuptimplota me njerëzit dhe mjedisin.

“…Sipas kësaj qasjeje, alienimi nuk buron vetëm nga vetmia, por edhe nga pamundësia për të krijuar lidhje që i japin kuptim ekzistencës.  Njeriu mund të përmbushë të gjitha rolet shoqërore dhe profesionale që mund t’i mbartë por, sërish ka mundësi që të mos e njohë veten e tij në jetën që bën. Rrjedhimisht këtu qëndron edhe thelbi i problemit, njeriu mund të jetë i integruar në shoqëri, por, megjithatë mund të jetë edhe i shkëputur nga vetvetja…” – theksoi ai.

Një hulumtim i vitit 2026, i publikuar në Springer, e lidh alienimin bashkëkohor me individualizimin, presionin e vazhdueshëm për performancë, mbingarkesën teknologjike dhe humbjen e kuptimit. Këto ndryshime ndikojnë në marrëdhënien e individit me veten dhe botën përreth.

Psikologia Haziraj thotë se pikërisht grumbullimi i dhimbjeve, zhgënjimeve dhe ngarkesës mendore, të cilat shpesh mbeten të pashprehura nga individi, shpesh janë shkaqe të kësaj shkëputjeje.

“Edhe kur njeriu e di se është i dashur nga familjarët apo miqtë, mund të zgjedhë të heshtë, nga frika se mos i rëndon të tjerët apo se nuk do të kuptohet prej tyre. Kjo heshtje krijon gradualisht një distancë të padukshme, ku afërsia fizike nuk përkthehet më në afërsi emocionale” – tha ajo.

Ndërkaq, sipas një studimi të publikuar në vitin 2025, përshkruhet alienimi në aspektin e punës që thuhet se duhet kuptuar përmes tri marrëdhënieve kryesore: marrëdhënies së individit me punën, me njerëzit e tjerë dhe me vetveten.

Kjo do të thotë se shkëputja nga puna mund të shoqërohet edhe me largimin emocional nga kolegët dhe me humbjen e ndjenjës së identitetit personal.

Një nga aspektet më interesante të këtij fenomeni është se individi mund të vazhdojë të jetë plotësisht funksional në jetën profesionale, por të mos e ndiejë më punën si pjesë të vetvetes. Ai punon sepse duhet, jo sepse gjen kuptim apo përmbushje në atë që bën.

Duke iu referuar veprës Social Acceleration të Hartmut Rosës, Emini nënvizoi se përshpejtimi i ritmit të jetës moderne krijon presionin për të bërë vazhdimisht më shumë.

Ai vlerësoi se zgjidhja nuk qëndron në refuzimin e normave dhe përgjegjësive shoqërore, por në ruajtjen e autonomisë personale brenda tyre.

Shkruan: Lularta Buja