Aliu: Erërat e fuqishme shkaktuan dëme të shumta në Ferizaj, kërkohet mbështetje për kompensimin e të prekurve

Aliu: Erërat e fuqishme shkaktuan dëme të shumta në Ferizaj, kërkohet mbështetje për kompensimin e të prekurve

Written by

in

Erërat e fuqishme që përfshinë Ferizajn gjatë natës së kaluar kanë shkaktuar dëme të shumta në disa pjesë të komunës.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë të ditur se ekipet emergjente janë në terren që nga mbrëmja e kaluar dhe orët e hershme të mëngjesit, për të evidentuar dhe sanimin e pasojave të shkaktuara nga moti i lig.

Aliu, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës dhe drejtorin e Arsimit, ka vizituar sot disa nga zonat e prekura për të parë nga afër dëmet.

Sipas tij, dëme janë evidentuar në disa objekte shkollore dhe sportive, hapësira publike, biznese dhe ekonomi familjare.

Kryetari Aliu ka bërë të ditur se Komuna do të përgatisë një raport të detajuar për dëmet e shkaktuara, ndërsa paralajmëroi se do të kërkohet edhe mbështetja e nivelit qeveritar për kompensimin e subjekteve të prekura.

Ekipet komunale po vazhdojnë angazhimin në terren për evidentimin dhe sanimin e dëmeve të shkaktuara nga erërat e fuqishme. /Telegrafi/