Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për të gjithë ata që u solidarizuan me familjen e tij në këto momente të vështira.
Përmes një postimi në Facebook, pas përfundimit të vizitës së Jakup Krasniqit në shtëpi, Altin Krasniqi ka falënderuar të gjithë ata që i qëndruan pranë familjes.
“Në emër të familjes, shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tonë për secilin prej jush që, në këto momente të vështira për familjen tonë, u solidarizuat me ne dhe na dhatë forcë”, ka shkruar ai.
Ndryshe, Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është larguar sot nga shtëpia e tij në lagjen Velania të Prishtinës, pas qëndrimit të sotëm prej tre orësh pranë familjarëve.
I shoqëruar nga pjesëtarë të EULEX-it, ish-zëdhënësi i UÇK-së është parë duke u përshëndetur me familjarët për të hyrë në automjetin e EULEX-it.
Kjo ishte dita e katërt e vizitës humanitare të Krasniqit në Kosovë, pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ia lejuan atij vizitën familjare për siç thanë “arsye bindëse humanitare”.
Në fakt, vizita iu mundësua pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij./Telegrafi/