
Ambasada Amerikane në Prishtinë u ka kërkuar qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar gjatë sezonit të festave, duke paralajmëruar për sulme të mundshme pa paralajmërim.
Në njoftimin e publikuar më 16 nëntor 2026, ambasada paralajmëron se grumbullimet e mëdha të njerëzve dhe ngjarjet publike mund të jenë cak i mundshëm i grupeve terroriste dhe kriminelëve.
Sipas ambasadës, sulmet mund të ndodhin me pak ose aspak paralajmërim, ndërsa si lokacione potencialisht të rrezikuara përmenden tregjet, qendrat e transportit, qendrat tregtare, objektet fetare dhe hapësirat e tjera publike.
Në njoftim thuhet:
“Qytetarët amerikanë duhet të jenë vigjilentë ndaj rrethinës së tyre dhe të praktikojnë masa të kujdesshme të sigurisë personale dhe vetëdijesimit për situatën.”
Ambasada gjithashtu paralajmëron për ndërprerje të mundshme të udhëtimeve dhe jetës së përditshme në Evropë, si pasojë e grevave, protestave dhe kërcënimeve të rreme për bomba që gjatë muajit nëntor kanë shënjestruar aviacionin civil në disa vende evropiane.
Qytetarëve amerikanë u rekomandohet që:
-Të shmangin protestat dhe zonat me prani të shtuar policore.
-Të jenë të vëmendshëm në vende me turma të mëdha njerëzish.
-Të ruajnë me kujdes gjërat personale dhe të mos tërheqin vëmendje.
-Të përcjellin lajmet lokale dhe udhëzimet e autoriteteve.
-Të kontaktojnë kompanitë ajrore për ndërprerje të mundshme të udhëtimeve.
Në fund, Ambasada Amerikane u bën thirrje qytetarëve të regjistrohen në programin Smart Traveler Enrollment Program (STEP), për të marrë përditësime të sigurisë gjatë qëndrimit jashtë vendit.
Paralajmërimi vlen për Evropën në përgjithësi dhe nuk paraqet domosdoshmërisht një kërcënim specifik për Kosovën.
Burimi: Insajderi