Ambasadori Gashi: Potenciali ekonomik i Kosovës tejkaloi pritjet e bizneseve polake

Ambasadori Gashi: Potenciali ekonomik i Kosovës tejkaloi pritjet e bizneseve polake

Written by

in

Ambasadori i Kosovës në Poloni, Drilon S. Gashi, ka deklaruar se kompanitë polake që morën pjesë në forumin ekonomik në Prishtinë kanë mbetur të befasuara pozitivisht nga potenciali ekonomik i Kosovës. Në një intervistë për Radio Kosovën, Gashi tha se përfaqësuesit e kompanive polake kanë pranuar se vizita ka tejkaluar dukshëm pritjet e tyre dhe kanë shprehur dëshirën të rikthehen. Ai theksoi se Polonia është partneri i katërt më i madh tregtar i Kosovës brenda Bashkimit Evropian. Sipas ambasadorit, Gashi, synimi është që interesimi i kompanive polake të konkretizohet në partneritete ekonomike, veçanërisht në teknologji, mbrojtje, energji dhe infrastrukturë.

Pyetje: Zoti ambasador, si e vlerësoni potencialin për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Polonisë?

Drilon S. Gashi: Besoj se potenciali është shumë i madh. Polonia është një treg i rëndësishëm dhe një ndër 20 ekonomitë më të mëdha në botë. Ajo ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm ekonomik, duke kaluar nga një vend relativisht i varfër, pas periudhës së dominimit sovjetik, në një ekonomi me zhvillim dhe dinamizëm të lartë.

Sa u përket marrëdhënieve ekonomike, tashmë kemi shkëmbime të konsiderueshme tregtare. Kosova importon nga Polonia mallra në vlerë prej rreth 300 milionë eurosh. Polonia renditet ndër partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë, përkatësisht e teta në botë dhe e katërta në Bashkimin Evropian.

Edhe në sektorin e shërbimeve kemi shkëmbime të rëndësishme ekonomike. Kosova eksporton në Poloni shërbime në vlerë prej rreth 23 milionë eurosh, ndërsa importon rreth 18 milionë euro, duke shënuar kështu një bilanc pozitiv në këtë sektor.

Prandaj, synimi ynë është që këto marrëdhënie të thellohen edhe më tej.

Forumi ishte i përqendruar në tri fusha kryesore: digjitalizimin e qeverisjes dhe ekonominë digjitale, përfshirë sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK); mbrojtjen, teknologjitë e mbrojtjes dhe sigurinë kibernetike; si dhe infrastrukturën, energjinë dhe prodhimin e teknologjive të avancuara.

Pyetje: Çfarë interesimi kanë shfaqur kompanitë polake për tregun e Kosovës dhe mundësitë e investimeve në vendin tonë?

Drilon S. Gashi: Besoj se ekziston interesim dhe kureshtje, por duhet ta pranojmë se bizneset polake ende nuk e njohin mjaftueshëm Kosovën.

Në këtë forum janë të pranishëm 14 përfaqësues nga Polonia, përfshirë përfaqësues të dhjetë kompanive dhe disa institucioneve. Për të gjithë ata, kjo është një përvojë e re, pasi Kosovën po e vizitojnë për herë të parë.

Polakët kanë një qasje shumë të drejtpërdrejtë dhe e shprehen hapur nëse kanë interesim real apo jo. Ata na kanë thënë se forumi, takimet me kompanitë dhe prezantimet e kryeministrit, ministrave dhe përfaqësuesve të tjerë i kanë tejkaluar dukshëm pritjet e tyre.

Kanë theksuar se Kosova u ka lënë përshtypje shumë më të mira sesa kishin pritur dhe dëshirojnë të rikthehen sërish  në Kosovë.

Natyrisht, tani duhet të vazhdojmë punën përmes misionit tonë diplomatik, në mënyrë që këto kontakte të ruhen, të zhvillohen dhe të shndërrohen në bashkëpunime të qëndrueshme.

Synojmë të organizojmë edhe një forum tjetër, mundësisht përsëri në Prishtinë. Shpresojmë që kjo vizitë dhe ky forum të shërbejnë si pikënisje për shkëmbime të mëtejshme ekonomike dhe që së shpejti të kemi takime të reja.

Pyetje: Po bizneset kosovare, çfarë mundësish shohin në tregun polak, veçanërisht për eksport dhe krijimin e partneriteteve të reja?

Drilon S. Gashi: Besoj se bizneset në Kosovë tashmë janë gjithnjë e më të vetëdijshme për përparimin ekonomik të Polonisë dhe zhvillimin që ka shënuar ky vend.

Kanë filluar të krijohen kontakte dhe bashkëpunime, por sfida kryesore tani është që ky proces të vazhdojë dhe të konkretizohet.

Ne dëshirojmë t’u krijojmë mundësi konkrete kompanive tona për të bashkëpunuar me bizneset polake.

Synojmë të ndërtojmë lidhje të drejtpërdrejta ndërmjet kompanive, të forcojmë bashkëpunimin me odat ekonomike të të dyja vendeve, të cilat po e mbështesin këtë proces, si dhe të identifikojmë interesat e përbashkëta që mund të shndërrohen në projekte konkrete ekonomike.

Pyetje: Përveç ekonomisë, ju jeni angazhuar edhe në promovimin e kulturës kosovare në Poloni. Si po zhvillohen shkëmbimet kulturore dhe artistike ndërmjet dy vendeve?

Drilon S. Gashi: Edhe në fushën e artit, ashtu si në ekonomi, vërejmë se ende nuk ka njohuri të mjaftueshme për atë që Kosova mund të ofrojë. Prandaj, synojmë ta promovojmë edhe më shumë kulturën tonë.

Përmes shkëmbimeve që kemi zhvilluar deri më tani, kemi arritur të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe të dëshmojmë se kultura është pjesë e rëndësishme e identitetit tonë dhe e kontributit që Kosova i ofron Evropës.

Kemi krijuar lidhje të rëndësishme edhe në këtë fushë. Sukseset e artistëve tanë flasin vetë dhe dëshmojnë për potencialin e madh kulturor që ka vendi ynë.

Shpresojmë që arti dhe kultura të bëhen një tjetër fushë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Polonisë.

Burimi: RTKLive