Përmes një postimi në platformën X, Schuebel ka vlerësuar se ky vendim ruan harmonizimin e plotë të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
“E mirëpres vendimin e sotëm të Kosovës për t’u harmonizuar me një masë shtesë kufizuese të BE-së kundër Rusisë, në mbështetje të Ukrainës, si dhe me deklaratat e 27 vendeve anëtare të BE-së, duke ruajtur kështu harmonizimin e saj të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së”, ka shkruar Schuebel.
Ambasadori i BE-së ka theksuar gjithashtu se përkushtimi i vazhdueshëm i Kosovës ndaj kësaj politike pasqyron respektimin e vlerave evropiane.
“Përkushtimi i vazhdueshëm i Kosovës ndaj Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë pasqyron respektimin e saj për vlerat evropiane”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar plotësim-ndryshimet e vendimit të vitit 2022, të marrë pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, për zbatimin e vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian lidhur me sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky vendim po merret me qëllim të harmonizimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.
Burimi: RTKLive
