Ambasadori italian takohet me Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, diskutohet bashkëpunimi Kosovë-Itali

Ambasadori italian takohet me Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, diskutohet bashkëpunimi Kosovë-Itali

Written by

in

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, është takuar me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Kosovës, me të cilët ka diskutuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, integrimin euroatlantik të Kosovës dhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Sipas njoftimit të Ambasadës italiane, takimi ishte mundësi për të diskutuar veçanërisht për tregtinë, investimet dhe diplomacinë parlamentare, shkruan Telegrafi.

Gjatë takimit, anëtarët e Komisionit shprehën mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kosovës që nga viti 1999 dhe kontributin e saj në zhvillimin dhe stabilitetin e vendit.

Ky kontribut përfshin edhe angazhimin e kontingjentit italian në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR.

Në njoftimin e Ambasadës thuhet se anëtarët e Komisionit shprehën vlerësimin për “mbështetjen e gjatë të Italisë për Kosovën që nga viti 1999 dhe kontributin e saj në zhvillimin dhe stabilitetin e vendit”.

Ndërkaq, ambasadori Antonini theksoi projektet e vazhdueshme të bashkëpunimit për zhvillim të Italisë, si dhe aktivitetet kulturore të Ambasadës.

Ai rikonfirmoi përkushtimin e Italisë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet dy vendeve./Telegrafi/