Pensionimi nuk e ka ndalur Jim Chew-in që të vazhdojë të jetë aktiv. Në moshën 78-vjeçare, banori i Ohios ka nisur një aventurë nëpër Shtetet e Bashkuara, me një synim të veçantë: të vizitojë panairet shtetërore në të 50 shtetet amerikane.
Chew, i cili doli në pension në moshën 75-vjeçare, fillimisht e pati të vështirë të përshtatej me jetën pa një orar të rregullt pune. Ai më parë kishte drejtuar një kompani për menaxhimin e ndërtesave të banimit në Columbus të Ohios dhe po kërkonte një aktivitet që do ta mbante të angazhuar, raportoi The Washington Post.
Ideja për këtë aventurë i lindi nga dashuria për Panairin Shtetëror të Ohios, ku i pëlqenin atraksionet e ndryshme, përfshirë rrotën panoramike, shfaqjet me kafshë dhe programet argëtuese, transmeton Telegrafi.
Më vonë, ai hasi në Facebook në një faqe të quajtur “Visit All 50 States”, e cila e frymëzoi të ndërmerrte një sfidë të ngjashme. Megjithatë, në vend që të vizitonte të gjitha shtetet, Chew vendosi të vizitonte panairet e tyre.
Ajo që nisi si një projekt për ta bërë pensionimin më interesant, tashmë është shndërruar në një mision udhëtimi që pritet të zgjasë disa vjet.
Chew e nisi këtë aventurë në Panairin Shtetëror të Georgias, në tetor të vitit 2023. Deri më tani, ai ka vizituar 31 panaire dhe i kanë mbetur edhe 19 të tjera. Sipas përllogaritjeve të tij, do t’i nevojiten rreth shtatë vjet për ta përfunduar sfidën.
Për udhëtimet e tij, 78-vjeçari bën planifikime të kujdesshme, duke kontrolluar datat e panaireve dhe duke studiuar hartat, në mënyrë që të vizitojë dy ose tri destinacione gjatë një udhëtimi të vetëm.
Në shtetet ku nuk organizohen panaire zyrtare në nivel shtetëror, përfshirë Connecticut-in, Pennsylvanian, Rhode Island-in dhe Hawaiin, ai viziton panaire të qarqeve ose panaire bujqësore.
Edhe pse udhëton i vetëm, Chew thotë se nuk ndihet kurrë i vetmuar. Përkundrazi, i pëlqen të njihet me njerëz të rinj, të nisë biseda me të panjohur dhe të mësojë më shumë për jetën e tyre.
Një nga përvojat që i ka mbetur në kujtesë ndodhi gjatë vizitës në Panairin Shtetëror të Iowas, në gusht të vitit 2025. Pasi zbriti nga treni në qytetin Osceola, ai kuptoi se nuk kishte taksi apo shërbime të transportit për ta dërguar në hotel. Në fund, përgjegjësi i stacionit i ofroi ta dërgonte vetë.
Për Chew-in, takimet me njerëzit dhe njohja me kulturën lokale janë ndër pjesët më të rëndësishme të udhëtimeve. Ai përpiqet të provojë ushqimet vendore dhe të vizitojë ekspozitat, në vend që të kalojë kohën te shitësit që udhëtojnë nga një panair në tjetrin.
Edhe pse shumica e panaireve kanë atraksione të ngjashme, si lojërat, ushqimet e skuqura, garat bujqësore dhe koncertet, ai është befasuar nga dallimet mes tyre.
Nga skulpturat e bëra me gjalpë dhe garat e qenve, deri te shfaqjet me kalërim në stilin e Perëndimit të Egër dhe ekspozitat e pazakonta ushqimore, çdo panair i ka ofruar një përvojë të re.
Ndër destinacionet e tij të preferuara deri më tani janë Iowa, California, Wisconsin, Utah dhe Florida.
Në Iowa i kanë pëlqyer veçanërisht mishi i derrit i shërbyer në shkopinj dhe mikpritja e banorëve. Në panairin e Kalifornisë i ka tërhequr vëmendjen një ekspozitë interesante e automjeteve.
Në Wisconsin ka provuar birra vendore dhe ka dëgjuar më shumë se 20 grupe muzikore që performonin drejtpërdrejt. Vizita në Utah i ka mundësuar të provojë misrin meksikan të rrugës, ndërsa panairi i Floridës i ka lënë përshtypje me shfaqjet e organizuara pranë një liqeni.
Ndalesa e tij më e fundit ishte Panairi Shtetëror i Louisianës, ku provoi ushqime tradicionale të zonës, si gumbo, karavidhe, étouffée dhe kafshata me mish aligatori. Ai gjithashtu shijoi rrëshqitjen në një rrëshqitëse gjigante shumëngjyrëshe dhe ndoqi një shfaqje me tematikë të Perëndimit të Egër.
Të gjitha udhëtimet Chew i dokumenton në një faqe në Facebook, ku publikon përvojat e tij dhe vlerëson panairet që viziton.
Bashkëshortja e tij, Jill Chew, dhe dy fëmijët e tyre tashmë të rritur e mbështesin këtë nismë. Ajo preferon të qëndrojë në shtëpi me qentë e tyre, por është e lumtur që bashkëshorti vazhdon të eksplorojë vendin.
Sipas saj, kjo sfidë i përshtatet plotësisht karakterit të tij, pasi ai gjithmonë ka pasur dëshirë të ketë një synim konkret për të cilin të punojë.
Ndërkaq, për Jim Chew-in, kjo aventurë është një mundësi për të zbuluar më shumë nga Shtetet e Bashkuara, për të takuar njerëz të rinj dhe për të përjetuar kultura të ndryshme, duke dëshmuar se pensionimi mund të jetë edhe fillimi i një kapitulli të ri plot aventura. /Telegrafi/