Analistët: Kënga nacionaliste serbe në forumin e BE-së, skandal i paparë

Analistët: Kënga nacionaliste serbe në forumin e BE-së, skandal i paparë

Written by

in

Duke komentuar këtë rast në emisionin “Prime” në RTK, drejtori i Institutit Octopus dhe profesori universitar Arben Fetoshi e cilësoi incidentin si “skandal të paparë” në nivelet e Bashkimit Evropian.

Ai tha se skenarë të tillë janë parë edhe më herët në organizime kulturore e sportive në Serbi, por jo në një forum të tillë të BE-së.

“Me një qasje të tillë të shprehjes së keqardhjes, të mjaftohet tejkalimi i kësaj situate ndaj Kosovës, mendoj që është mesazhi që tregon shumë për Bashkimin Evropian, jo për Kosovën. Kjo po ashtu tregon shumë për Bashkimin Evropian, jo për Serbinë”, tha Fetoshi.

Ai kërkoi që BE-ja ta ndryshojë qasjen ndaj Serbisë dhe t’i japë fund, siç e quajti, politikës së ledhatimit.

“Serbia nuk njeh gjuhë tjetër. Ky është problemi”, u shpreh ai.

Sipas Fetoshit, incidenti përbën dështim të madh për Bashkimin Evropian, i cili pretendon se funksionon mbi vlera të caktuara.

Kritik ndaj reagimeve të deritanishme të BE-së ishte edhe përfaqësuesi i “Grupit Strategjik” në Washington DC, Artan Alijaj. Ai tha se deklaratat e keqardhjes nuk janë të mjaftueshme dhe se ato nuk mund ta zëvendësojnë kërkimfaljen për atë që ndodhi.

“Mendoj që ajo shfaqja e shëmtuar që e pamë pardje në Bashkimin Evropian tregon edhe një herë që ka shkëputje të madhe nga realiteti në Bashkimin Evropian me atë se çka ka ndodhur në këtë regjion, çka ka ndodhur në këtë vend dhe sa janë të kujdesshëm ata ndaj nesh, sa tregojnë respekt ata ndaj nesh. Edhe sot e kësaj dite pas gjithë këtyre reagimeve nuk kemi parë një kërkimfalje, kemi parë një apo dy deklarata keqardhjeje nga zonja Kos. Keqardhje tha, pra s’është kërkimfalje. Senatori belg i kërkoi direkt që të kërkojë falje, ajo nuk kërkoi falje prapë”, tha Alijaj.

Ai kritikoi edhe arsyetimin se paraqitja e këngës ishte aksidentale, duke rikujtuar të kaluarën e komisionares evropiane për zgjerim, Marta Kos, si gazetare që kishte raportuar për luftërat në ish-Jugosllavi.

“Zonja Kos ka qenë gazetare, edhe kjo ka raportuar edhe për luftërat në ish-Jugosllavi. Dhe duke marrë parasysh prapavijën e saj, e dimë që e di edhe ajo se çfarë kënge ka qenë kjo. E di edhe ajo që bendi ka qenë slloven po ashtu, s’ka qenë vetëm kjo. Do të thotë dhe dilet të thuhet që ka qenë një aksident është qesharake për mua”, u shpreh ai.

Ndërkaq, analisti Melazim Koci e cilësoi interpretimin e këngës nacionaliste serbe në koncertin e organizuar nga Komisioni Evropian si veprim të qëllimshëm dhe “poshtërim të Kosovës”.

Sipas tij, ngjarja në zemër të Bashkimit Evropian nuk mund të konsiderohet rastësi.

“Kjo nuk është skandaloze, është më shumë se skandaloze, është e qëllimshme. Kjo është e përgatitur, e organizuar dhe e qëllimshme. Është poshtërim i Kosovës dhe ka mesazhe”, u shpreh Koci.

Ai tha se një nga mesazhet e mundshme është se Serbia nuk ka nevojë ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës, ndërsa nuk e përjashtoi mundësinë që incidenti të synojë provokimin e Kosovës për t’u larguar nga dialogu.

Koci kërkoi gjithashtu që Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, të kërkojë falje, duke theksuar se keqardhja dhe kërkimfalja janë dy gjëra të ndryshme.

“Ajo që do të ishte më normalja do të ishte dorëheqja e saj”, tha Koci.

Ai e vlerësoi si të pamjaftueshëm reagimin e Bashkimit Evropian, duke thënë se BE-ja ende nuk ka një qëndrim të qartë për rastin.

Burimi: RTKLive