Analizat e gjakut mund të zbulojnë sëmundjet inflamatore të zorrëve 10 vjet para diagnozës

Analizat e gjakut mund të zbulojnë sëmundjet inflamatore të zorrëve 10 vjet para diagnozës

Written by

in

Analizat e gjakut mund të zbulojnë sëmundjet inflamatore të zorrëve 10 vjet para diagnozës

Modelet e antitrupave në gjak mund t’i ndihmojnë mjekët të identifikojnë personat në rrezik nga sëmundjet inflamatore të zorrëve deri në dhjetë vjet para shfaqjes së simptomave, sugjeron një studim i ri, ka raportuar “The Guardian”.

Sëmundja e Crohnit dhe koliti ulceroz janë dy format kryesore të sëmundjeve inflamatore të zorrëve. Ato shkaktojnë inflamacion kronik të traktit tretës dhe mund të shoqërohen me dhimbje barku, diarre dhe lodhje. Zakonisht, trajtimi nis pasi shfaqen simptomat, kohë kur dëmtimi i zorrëve mund të ketë filluar tashmë.

Megjithatë, gjetjet e reja sugjerojnë se sistemi imunitar mund të japë sinjale paralajmëruese shumë vite përpara diagnozës, duke krijuar mundësi për identifikimin më të hershëm të personave në rrezik.

“Për një kohë të gjatë, kemi mundur ta trajtojmë sëmundjen inflamatore të zorrëve vetëm pasi dëmtimi ka ndodhur, dhe për shumë njerëz kjo është tepër vonë”, ka thënë doktori Arno Bourgonje nga Qendra Mjekësore Universitare e Groningenit në Holandë dhe Shkolla e Mjekësisë “Icahn” në Mount Sinai, në New York.

Ai ka theksuar se sëmundja mund të fillojë vite para shfaqjes së simptomave dhe se sistemi imunitar lë gjurmë që mund të zbulohen më herët. Megjithatë, Bourgonje ka sqaruar se kjo metodë ende nuk mund të përdoret për të parashikuar me siguri nëse një person do të zhvillojë sëmundjen.

Për studimin, ekipi hulumtues analizoi 2.000 mostra gjaku nga 500 pjesëtarë të ushtrisë amerikane. Nga ta, 200 persona zhvilluan më vonë sëmundjen e Crohnit, 200 kolitin ulceroz, ndërsa 100 nuk zhvilluan asnjërën prej këtyre sëmundjeve.

Studiuesit analizuan antitrupat, të cilët prodhohen nga sistemi imunitar si reagim ndaj baktereve, viruseve, ushqimeve dhe proteinave të vetë organizmit, për të identifikuar modelet që mund të lidhen me zhvillimin e sëmundjeve inflamatore të zorrëve.

Te personat që më vonë zhvilluan sëmundjen e Crohnit, u vërejtën më shpesh antitrupa kundër virusit Epstein-Barr, i cili mund të shkaktojë mononukleozën infektive. Këto dallime ishin të dukshme deri në dhjetë vjet para diagnozës, ndërsa sinjali ishte më i fortë te personat që më vonë zhvilluan forma më të rënda të sëmundjes.

Ndërkaq, te personat që zhvilluan kolit ulceroz u identifikua një model tjetër antitrupash, përfshirë antitrupa kundër një proteine të vetë organizmit.

Gjetjet janë publikuar në revistën shkencore “Gut” dhe janë prezantuar në një konferencë evropiane të gastroenterologjisë në Barcelonë. Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet duhet të konfirmohen edhe në grupe të tjera njerëzish. Studimi evidenton një lidhje mes modeleve të antitrupave dhe zhvillimit të sëmundjeve, por nuk dëshmon se infeksionet i shkaktojnë ato.

Profesori i gastroenterologjisë James Lindsay, i cili nuk ka qenë i përfshirë në studim, ka thënë se hulumtimi ofron njohuri të rëndësishme për shkaqet e sëmundjes së Crohnit dhe kolitit ulceroz, si dhe mund të ndihmojë në identifikimin e personave në rrezik. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se këto metoda mbeten mjete kërkimore dhe nuk janë ende të gatshme për përdorim të zakonshëm në spitale.

Ndërkaq, shkencëtarja Marinanne Radcliffe ka shprehur shpresën se identifikimi i hershëm i personave në rrezik do të mundësojë, në të ardhmen, trajtimin përpara se të ndodhë dëmtimi i zorrëve, madje edhe parandalimin ose vonimin e zhvillimit të sëmundjes.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali