Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se institucioni që ajo drejton është përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tij, si dhe me përpjekje për të penguar rrjedhën e drejtësisë.
Në deklarimin e saj, Trendafilova ka theksuar se këto përpjekje kanë çuar edhe në dënime dhe pranime të fajësisë për frikësimin e dëshmitarëve në proceset gjyqësore para Dhomave të Specializuara.
Ajo ka rikujtuar se ky institucion gjyqësor e ka mandatin të përcaktuar nga Shkëmbimi i Letrave, Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Që nga themelimi, Dhomat e Specializuara janë përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tyre. Po ashtu, ka pasur përpjekje për të penguar rrjedhën e drejtësisë. Këto përpjekje kanë çuar në dënime dhe pranime të fajësisë për frikësimin e dëshmitarëve para Gjykatës. Dhomat e Specializuara janë institucion gjyqësor me mandat të përcaktuar nga Shkëmbimi i Letrave, Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykata është e përqendruar në garantimin e procedurave penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase, duke siguruar njëkohësisht mbrojtje të fuqishme për dëshmitarët dhe viktimat. Përkundër dezinformatave që vazhdojnë të përhapen lidhur me Gjykatën, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat e të akuzuarve për një gjykim të drejtë, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht”, thuhet në deklarim.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara ka vënë në dukje se vendimet gjyqësore mund të kundërshtohen përmes procedurave të ankimit, përfshirë panelet e Apelit, Panelin e Gjykatës Supreme dhe Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, në rastet kur të pandehurit pretendojnë se u janë shkelur të drejtat.
“Mbikëqyrja e vendimeve gjyqësore bëhet përmes procedurave të ankimit, përfshirë panelet e Apelit të DhSK-së dhe Panelin e Gjykatës Supreme. Të pandehurit mund t’i drejtohen gjithashtu Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese nëse besojnë se u janë shkelur të drejtat. Vlen të theksohet se të pandehurit i kanë shfrytëzuar këto mjete juridike dhe, në një numër vendimesh, kanë pasur sukses. Ndërsa kritika ndaj vendimeve gjyqësore është legjitime në një shoqëri demokratike, sundimi i ligjit kërkon që askush të mos diktojë mënyrën se si gjyqtarët e interpretojnë dhe e zbatojnë ligjin. Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre pa u ndikuar nga konsideratat politike, preferencat, ndikimet apo ndërhyrjet”, ka shtuar ajo.
Në përfundim, ajo ka ritheksuar përkushtimin e institucionit për respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe vazhdimin e punës në mënyrë të pavarur nga presionet e jashtme, duke kërkuar që të gjithë aktorët e përfshirë t’i përmbushin detyrimet e tyre në respektim të sundimit të ligjit.
“Dhomat e Specializuara mbeten të palëkundura në përkushtimin e tyre për të respektuar standardet më të larta ndërkombëtare dhe për të vazhduar punën që u është besuar, në mënyrë të pavarur nga çdo presion i jashtëm, me pritshmërinë që të gjithë aktorët e përfshirë t’i përmbushin detyrimet e tyre përkatëse, në mënyrë që të respektohet sundimi i ligjit”, ka theksuar ajo.
Deklarimi i Trendafilovës vjen pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, më 6 tetor, të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Ndryshimet synojnë të kufizojnë juridiksionin e Gjykatës Speciale, të ndryshojnë periudhën kohore që mbulon, të përcaktojnë një dënim maksimal prej 15 vjetësh burgim dhe të mundësojnë që personat e dënuar t’i mbajnë dënimet në institucionet korrektuese të Kosovës, si dhe të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Ligji parasheh gjithashtu transferimin në sistemin e rregullt gjyqësor të Kosovës të rasteve që do të mbeteshin jashtë juridiksionit të ri. Megjithatë, miratimi i ndryshimeve nga Kuvendi nuk nënkupton vetvetiu anulimin e aktgjykimeve ekzistuese apo lirimin e personave të dënuar.
Burimi: Dukagjini
