Anomia shqiptare

Anomia shqiptare

Written by

in

Të një popull që përjeton anomi vërehen fenomene si humbja e besimit në institucione, relativizimi i moralit, rritja e korrupsionit dhe ndjenja e përgjithshme e padrejtësisë sociale. Kjo gjendje po ndikon edhe në shëndetin mendor të popullsisë, duke rritur nivelet e stresit, ankthit dhe depresionit.

Ylli H. Mehmeti

Janë me qindra mijëra shqiptarë që jetojnë jashtë vendlindjes së tyre. Kjo shifër, përtej statistikës, fsheh brenda saj njërin nga fenomenet më enigmatike dhe ironike të kohës sonë: i njëjti njeri, me të njëjtat duar dhe të njëjtin tru, i cili në Kosovë rrinte kot duke luajtur me lugën e makiatos nëpër kafenetë e qytetit, në Gjermani apo Zvicër zgjohet në orën pesë të mëngjesit për të bërë çdo lloj pune – edhe me orar të zgjatur.

Ky paradoks nuk është rastësor. Ai është produkt i një sistemi – ose, më saktë, i mungesës absolute të një sistemi funksional në vendlindje.

Sociologu i shquar francez, Émile Durkheim, e quajti anomi atë gjendje shoqërore ku normat sociale dhe morale humbasin forcën e tyre. Kur sistemi korruptohet – kur nepotizmi mposht meritën, kur korrupsioni kthehet në të vetmen rrugëkalim, kur lidhjet familjare e partiake çelin dyer të cilat talenti i pastër nuk i hap dot dhe ku konkurrenca e ndershme nuk ekziston – njeriu, thjesht, ndalon së besuari te puna.

Kosova e pasluftës, e tranzicionit të stërzgjatur dhe e reformave të mbetura në gjysmë të rrugës, është shembulli i gjallë i kësaj anomie kolektive. Rinia shqiptare nuk u bë dembele nga natyra; ajo u tregua racionale. Pse të punosh shumë, kur rezultati i jetës tënde nuk varet nga ti, por nga dikush tjetër?

Në momentin kur i riu shqiptar vendoset në një shoqëri perëndimore, ndodh një thyerje e fuqishme psikologjike. Ai sheh me sytë e tij distancën midis asaj që ka aktualisht dhe asaj që mund të arrijë nëse përpiqet. Kjo distancë e dukshme dhe e prekshme shndërrohet në karburantin e tij të veprimit.

Nuk është se sistemi i ri perëndimor e transformon atë në një “person tjetër” përmes ndonjë magjie. Ai thjesht i jep një arsye të fortë për të punuar. Sepse, atje, puna e palodhur dhe konkurrenca e ndershme e çojnë individin në dimensione të cilat më parë i dukeshin të paarritshme.

Sistemi ekonomik perëndimor nuk e “reformon” emigrantin shqiptar me predikime; ai thjesht i ofron rregulla të qarta loje: Dil në punë, paguaj taksat, respekto ligjin. Dhe, sistemi ia kthen mbrapsht me: siguri, pagesë korrekte, dinjitet dhe një garë të shëndetshme.

Ky reciprocitet – kjo kontratë shoqërore funksionale – është saktësisht ajo që mungon në vendlindje. Kur shteti nuk mban anën e tij të kontratës, qytetari racional e braktis atë.

Brezi i parë i emigrantëve mban gjithmonë me vete kujtesën e vështirësisë. Ata punojnë me një intensitet të jashtëzakonshëm pikërisht sepse janë produkt i anomisë që lanë pas. Ndërsa, brezi i dytë, i lindur dhe i rritur në mirëqenien perëndimore, e humbet plotësisht këtë lloj densiteti pune.

Është sikur motori i motivimit të brezit të parë të funksiononte me një lëndë djegëse specifike: frika nga varfëria, trauma e papunësisë, turpi i dështimit para familjes dhe revolta ndaj padrejtësive të vendlindjes. Kur kjo lëndë djegëse konsumohet ose nuk ekziston më tek të rinjtë e lindur jashtë, efekti zbehet.

Nisur nga kjo, zgjidhja e krizës sonë demografike nuk qëndron te thirrjet patetike për “t’i bindur emigrantët të kthehen”. Rrugëdalja e vetme është të ndërtojmë në Kosovë vendin që i bën ata të dëshirojnë vetë të kthehen. Zgjidhja ka emra të thjeshtë: Meritokraci. Drejtësi. Domethënë, saktësisht ato gjëra të cilat shqiptarët u detyruan t’i kërkonin dhe i gjetën jashtë kufijve të tyre.

(Autori është mjek radiolog në Augsburg të Gjermanisë)