Përmirësimi i situatës së sigurisë në Kosovë krijon mundësi për përparim politik, forcimin e institucioneve demokratike dhe rritjen e besimit ndërmjet komuniteteve. Ky është vlerësimi i parlamentarëve të NATO-s pas një misioni faktmbledhës në Prishtinë, më 28 dhe 29 tetor.
Gjatë vizitës, anëtarët e Komitetit Politik shqyrtuan synimet e Kosovës për thellimin e integrimit euroatlantik dhe kontributin në sigurinë rajonale dhe atë të vendeve aleate.
Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të lartë paraqitën prioritetet strategjike të Kosovës, përfshirë rritjen e investimeve në mbrojtje, prokurimin dhe rekrutimin, si dhe forcimin e trajnimit dhe ndërveprueshmërisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës me forcat aleate.
Udhëheqësit e Kosovës ritheksuan se anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik, ndërsa theksuan edhe mbështetjen politike dhe praktike të vendit për Ukrainën.
Delegacioni vizitoi edhe Shtabin e KFOR-it, ku u diskutua për rolin e misionit në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet.
Sipas Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Aleanca ka nisur optimizimin gradual të pozicionimit të KFOR-it, bazuar në përmirësimin e situatës së sigurisë, duke ruajtur mundësinë e përshtatjes së pranisë së tij në rast të përkeqësimit të rrethanave.
Në njoftim theksohet se siguria dhe përparimi politik duhet të ecin paralelisht, ndërsa Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet thelbësor për stabilitetin rajonal.
Asambleja vlerëson se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve ekzistuese do të jenë vendimtarë në të ardhmen.
Ndër prioritetet e përmendura për Kosovën janë forcimi i sundimit të ligjit, mbikëqyrja parlamentare, llogaridhënia institucionale dhe mbrojtja e të drejtave gjuhësore e pronësore të komuniteteve joshumicë.
Gjatë vizitës në Prishtinë, delegacioni u takua edhe me ministra, përfaqësues të partive parlamentare, komuniteteve joshumicë, KFOR-it, UNMIK-ut dhe EULEX-it, si dhe me ekspertë të pavarur dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Burimi: RTKLive
