Apeli i jep “leksion” AIP-së dhe “Betimit për Drejtësi” – miraton padinë e OAK-së dhe rrëzon vendimin e Agjencisë

Apeli i jep “leksion” AIP-së dhe “Betimit për Drejtësi” – miraton padinë e OAK-së dhe rrëzon vendimin e Agjencisë

Written by

in

Apeli i jep “leksion” AIP-së dhe “Betimit për Drejtësi” – miraton padinë e OAK-së dhe rrëzon vendimin e Agjencisë

Gjykata e Apelit e Kosovës i ka dhënë të drejtë Odës së Avokatëve të Kosovës në kontestin disa-vjeçar me Agjencinë për Informim dhe Privatësi, duke rrëzuar vendimin mbi të cilin ishte zhvilluar edhe një debat i gjatë publik për transparencën e Odës.

Me Aktgjykimin AA.nr.327/2025, Apeli ka aprovuar si të bazuar ankesën e OAK-së, ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka anuluar vendimin A-291/2022 të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Gjykata nuk e ka kthyer çështjen për rigjykim, por ka vendosur vetë meritorisht, duke aprovuar kërkesëpadinë e Odës. Aktgjykimi e zëvendëson aktin e anuluar dhe ka karakter detyrues.

Ankesa që e çoi çështjen deri te ky epilog ishte paraqitur në emër të OAK-së nga kryetari i saj, avokati Besnik R. Berisha, i cili kishte kërkuar pikërisht ndryshimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe aprovimin në tërësi të kërkesëpadisë së Odës. Apeli, në fund, i dha të drejtë këtij qëndrimi juridik.

Në zanafillë të kontestit ishte një kërkesë për qasje në dokumente e paraqitur në OAK nga Nuraje Bllaca, hulumtuese e “Betimit për Drejtësi”. Pas mosmarrëveshjes për dokumentet e kërkuara, Bllaca ishte ankuar në AIP, ndërsa Agjencia e kishte aprovuar ankesën e saj.

Me vendimin e saj, AIP kishte detyruar OAK-në që brenda shtatë ditësh të ofronte qasje të plotë në një varg dokumentesh të Këshillit Drejtues, përfshirë statistikat për mbledhjet, numrin dhe natyrën e vendimeve, agjendat, procesverbalet dhe vendimet e Këshillit.

Mirëpo, pas betejës gjyqësore, Gjykata e Apelit ka ardhur në përfundimin se pikërisht baza juridike mbi të cilën AIP kishte ndërtuar vendimin e saj ishte e gabuar.

Në arsyetimin e aktgjykimit, Apeli ka konstatuar se Oda e Avokatëve të Kosovës nuk ka pozitën juridike të institucionit publik, nuk ushtron autoritet administrativ shtetëror dhe nuk operon me fonde publike. Gjykata e ka cilësuar OAK-në si organizatë profesionale të pavarur të avokatëve, të financuar nga të ardhurat e veta, duke konstatuar se ajo nuk përfshihet në kategoritë e institucioneve publike të përcaktuara me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

Me këtë konstatim, Apeli ka rrëzuar në themel interpretimin mbi të cilin AIP kishte ushtruar kompetencën e saj ndaj Odës.

Gjykata ka vlerësuar se vendimi i Agjencisë ishte nxjerrë në kundërshtim me dispozitat materiale të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. Apeli ka konstatuar gjithashtu se edhe Gjykata Themelore kishte zbatuar gabimisht të drejtën materiale kur kishte refuzuar padinë e OAK-së.

Në aktgjykim thuhet qartë se akti administrativ i AIP-së dhe aktgjykimi i shkallës së parë ishin të kundërligjshëm për shkak të zbatimit të gabuar të dispozitave materiale, çka e shtyu Apelin ta ndryshojë vendimin dhe ta zgjidhë vetë çështjen meritorisht.

Ky epilog merr peshë të veçantë edhe për shkak të mënyrës se si çështja ishte trajtuar publikisht ndër vite.

“Betimi për Drejtësi”, përmes hulumtueses së vet që kishte paraqitur kërkesën dhe më pas ankesën në AIP, kishte qenë drejtpërdrejt i përfshirë në procesin që çoi deri te vendimi kundër OAK-së. Paralelisht, në diskursin publik çështja ishte shtyrë si problem i transparencës së Odës.

Aktgjykimi i Apelit e vendos tash debatin në një rrafsh tjetër.

Çështja juridike, në fund, nuk ishte nëse transparenca është vlerë që duhet mbrojtur. Pyetja ishte shumë më konkrete, a kishte AIP bazë ligjore ta trajtonte OAK-në si institucion publik dhe t’i impononte detyrime mbi atë bazë?

Përgjigjja e Apelit është e prerë. Jo.

Pikërisht këtu vendimi merr karakterin e një “leksioni” juridik për AIP-në dhe, njëkohësisht, e vë në një dritë tjetër narrativën që ishte ndërtuar nga “Betimi për Drejtësi” rreth këtij rasti sepse pas disa vitesh procedurë, rezultati juridik është se OAK kishte të drejtë kur e kundërshtoi bazën mbi të cilën AIP po ndërhynte.

Edhe më domethënës është fakti se Apeli nuk e ka kthyer lëndën për një raund tjetër procedural. Gjykata ka vendosur vetë, duke aprovuar kërkesëpadinë e OAK-së dhe duke anuluar vendimin e Agjencisë.

Në fund, aktgjykimi përcjell një mesazh që tejkalon vetë këtë kontest.

Transparenca nuk mund të përdoret për të krijuar kompetenca që ligji nuk i njeh.

Në këtë rast, AIP e kishte kaluar atë kufi.

Gjykata e Apelit ia vendosi kufirin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Apeli i jep “leksion” AIP-së dhe “Betimit për Drejtësi” – miraton padinë e OAK-së dhe rrëzon vendimin e Agjencisë appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali